May 1, 2024
Shqipëri

Kim: Grupet e mbrojtjes së votës, të papranueshme

Në Shqipëri, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha sot se personat e përfshirë në ngjarjen e djeshme në Elbasan, ku si pasojë e përplasjes mes mbështetësve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste pati 1 të vrarë e 4 të plagosur, “duhet të ndëshkohen pa përjashtim, sepse askush nuk është mbi ligjin”.

Konflikti nisi pasi strukturat për mbrojtjes e votës të Partisë Demokratike, të përbëra nga ish punonjës policie ndaluan një makinë, e cila sipas tyre dyshohej se shpërndante para në këmbim të votës për Partinë Socialiste.

Ambasadorja Kim tha sot se “gjëra të tilla të tmerrshme, sikurse kanë ndodhur në të shkuarën, si grupe të paautorizuara për të mbrojtur votën e qytetarëve, janë gjëra që duhet të mbeten në të shkuarën sepse kjo është diçka e papranueshme për një vend që është anëtar i NATO-s dhe që aspiron të anëtarësohet në BE”.

Ajo u shpreh se “është përgjegjësi e udhëheqësve që ndodhen në pozicionet më të larta drejtuese të vendit, që të bëjnë thirrje për qetësi”, duke shtuar se “po monitorohen të gjitha veprimet e ndërmarra nga drejtuesit e vendit”, ndërsa zgjodhi të veçojë kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, për t’i falenderuar “që kanë bërë thirrje për qetësi e që të refuzohet dhuna e që të votohet më 25 Prill”.

Thirrje të gjitha palëve “për vetpërmbajtja, që të shmanget gjuha e urrejtjes dhe gjuha nxitëse” bëri dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian Luigi Soreca, sipas të cilit “këto zgjedhje janë qartësisht tejet të rëndësishme për qytetarët shqiptarë. BE po ndjek nga afër çfarë po ndodh në Tiranë, dhe në 61 bashkitë e tjera.. Sepse çfarë ndodh në Tiranë është e rëndësishme dhe për BE-në”, deklaroi ai duke kujtuar se “Shqipëria është një vend kandidat. Ne jemi duke marrë në konsideratë thirrjen e Konferencës së parë ndërqeveritare”, për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.