April 29, 2024
Maqedoni

Këshilli i Komunës së Dibrës e miratoi buxhetin për vitin e ardhshëm

Këshilli i Komunës së Dibrës në seancën e sotme, me të cilën drejtoi kryetari Fuat Spahiu, e miratoi unanimisht Projekt-buxhetin e komunës për vitin 2022.

Buxheti peshon 351 milionë e 121 mijë denarë, që është për rreth 10 milionë më i ulët krahasuar me buxhetin e projektuar për këtë vit.

“Në pjesën e të ardhurave tek zëri buxheti bazë, janë planifikuar 123,7 milionë denarë, dotacione rreth 201,9 milionë, të ardhura tatimore 78.2 si dhe të ardhura jotatimore 16,4, transfere 27, të hyra kapitale 12, të hyra nga donacionet 15 milionë denarë. Kur bëhet fjalë për shpenzimet ato planifikohen në 350 milionë e 721 mijë denarë”, deklaroi Qazim Qorrmemeti, drejtues i sektorit për financa.

Ai theksoi se shpenzimet janë të destinuara për paga dhe nevoja tjera të administratës, institucionet edukative, njësitin territorial zjarrfikës, ndërsa tek zëri i rezervave janë ndarë 400 mijë denarë.

Në vërejtjen e disa këshilltarëve për sasi të pamjaftueshme, sipas tyre, për fusha të caktuara para se gjithash për mirëmbajtjen e higjienës komunale, Qorrmemeti dëshiroi që të realizohet buxheti i projektuar, sepse, siç tha, disa vite me radhë realizohet mesatarisht nga 65 deri 70 për qind.

Lidhur me projektet kapitale, kryetari i komunës Hekuran Duka u shpreh se ata udhëhiqen gjithmonë nga ajo që është prioritet për komunën dhe banorët e saj, duke përmendur disa projekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e furnizimit me ujë të qytetit, ruajtjen e higjienës komunale, përfshirë mbledhjen e mbeturinave në zonat rurale, për të cilat do të blihet një automjet i ri i përshtatshëm si dhe projekte të tjera infrastrukturore.