May 18, 2024
Maqedoni

Keqpërdorimi i 2.2 mln eurove në “Erasmus+”, Prokuroria Themelore po bën hetimet

Në procedurë parahetimore, keqpërdorimi i 2.2 milion eurove nëpërmjet programit ‘Erazmus Plus’ të finansuar nga Komisioni Europian. Nga prokuroria nuk japin detaje por thonë e pas marrjes së informacioneve në mënyrë aktive po zhvillojnë procedurën parahetimore.

Gir: Agjencia të zbatojë rekomandimet e Olaf

Për rastin në fjalë është prononcuar edhe euroambasadori Dejvid Gir, i cili edhe pse i përmbajtur, pret që Agjencia Kombëtare për zbatimin e programit ‘Erasmus+’ të zbatojë rekomandimet e dhëna nga OLAF, organi hetues i BE-së kundër mashtrimeve, i cili kërkon kthimin e parave.

Megjithatë Gir siguron se financat europiane s’do reduktohen në të ardhmen.

“Ne nuk komentojmë vendimet e marra nga OLAF. Ky është organi i Bashkimit Evropian që bën hetimin e mashtrimeve. Presim që Agjencia Kombëtare për “Erasmus+” në Maqedoni të zbatojë të gjitha rekomandimet e dhëna nga OLAF. Ne vazhdojmë të kemi besim në punën e Agjencisë për Erasmus Plus, që do të thotë se mbetemi të bindur se buxheti i ndarë për Erasmus Plus nuk do të reduktohet. Programi do të mbetet një përfitim nga i cili do të kenë dobi nxënësit, studentët, të rinjtë dhe universitetet.” – tha Euroambasadori, Dejvid Gir.

Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit OLAF, kërkon kthimin e parave të keqpërdorura përgjatë viteve 2016-2018.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare, Marko Gjorgjievski, ditë më parë ka njoftuar se bëhet fjalë për të dhëna për keqpërdorim të projekteve të 22 shrytëzuesve të granteve të “Erasmu+”, duke drejtuar gishtin edhe kah paraardhësja e tij Lidija Dimova, transmeton TVM2.

Por, Dimova në një intervistë për javoren “Fokus”, është shprehur se padrejtësishtë është targeti i prokurorisë, pasi vetë ajo i ka zbuluar mashtrimet dhe në vitin 2019-të ka ngritur kallzim penal në prokurori. Paralelisht me këtë, Dimova ka njoftuar Brukselin, i cili që atë kohë ka nisur hetimet.