October 15, 2024
Shqipëri

Katër të akuzuar për manipulim të zgjedhjeve në Dibër, hapet dosja “184”

Dosja “184” për manipulim të zgjedhjeve në Dibër!

Është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj 4 të pandehurve të dosjes 184, lidhur me akuzat për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve, në zgjedhjet lokale për kryebashkiakun e Dibrës, të zhvilluara para 4 vitesh. Shtyrja e seancës u mor për shkak të mungesës së avokatëve të të pandehurve.

Seanca e sotme është zhvilluar për dy prej të pandehurve, ish-drejtori i Zyrës Arsimore Drini Gjeci, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre. Për 2 të akuzuarit e tjerë, Hasan Hoti dhe Robert Aga zhvillohet seanca 4 ditë më vonë, më 26 korrik.

Prokuroria e Dibrës përfundoi hetimet për dosjen 184 dhe mori të pandehur 4 persona, pas 4 vitesh nga zgjedhjet lokale për kryebashkiakun e Dibrës. Për të hetuarit e tjerë mes tyre kryebashkiakun aktual të Dibrës, Dionis Imeraj, dhe shtetasit Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi, afrim Mikli, është kërkuar pushimi i çështjes. Këta shtetas sipas prokurorisë kanë kryer veprën penale të shitblerjes së votës por për shkak të tejkalimit të afatit 3 vjeçar vepra penale është parashkruar, ndaj nuk mund të merren në përgjegjësi penale.

Dosja 184 kaloi të paktën 5 herë nga Dibra në Tiranë tek Krimet e Rënda dhe e parafundit në SPAK. Por SPAK shpalli moskompetencë duke i kërkuar Dibrës ta mbyll ketë hetim. 4 personat që kanë dalë sot në Gjykatë janë marrë të pandehur për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve dhe rrezikojnë të dënohen nga 1 deri në 7 vite burg.

Kjo dosje solli debat politik e deri në protesta kundër mazhorancës duke bërë që opozita ta akuzojë për vjedhje të votave e manipulim rezultati duke i dhënë mandatin Muharrem Ramës.