Një pjesë e rëndësishme e platformës së Bilall Kasamit për mandatin e dytë ka të bëjë me transformimin urban dhe zhvillimin infrastrukturor të Tetovës. Në plan është miratimi i Planit Gjeneral Urbanistik 2025–2035, i shoqëruar me pako planesh detale që mbulojnë qendrën e qytetit, stadiumin, bulevardet kryesore dhe Kodrën e Diellit.

Projekti më ambicioz është ndërtimi i teleferikut Tetovë–Lisec–Kodra e Diellit, i cili, sipas Kasamit, do të vendosë qytetin në hartën e turizmit rajonal. Krahas tij, parashikohet ndërtimi i një sheshi me parking nëntokësor, përfundimi i bulevardeve kryesore dhe nënkalimet për këmbësorë.

Ky vizion urban lidhet ngushtë me strategjinë për menaxhimin e trafikut: sistem i ri parkimi me garazhe me kate, pika Park & Ride në hyrjet e qytetit dhe aplikacion digjital për menaxhimin e hapësirave. Në këtë drejtim, Kasami thekson se Tetova do të bëhet “qytet kompakt, i gjelbër dhe i lidhur”.

sqShqip