Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, në intervistë për “360 Gradë” në RTM1 tha se partia e sapoformuar po përgatit një platformë të quajtur “Agjenda Kombëtare 2036”. Fokusi, sipas Kasamit, do të jetë në zgjidhje për kushte më të mira dhe zhvillim të shtetit, me qëllim uljen e emigrimit të të rinjve.
“Është një vizion i ri për shtetin, ku duam të tregojmë se, ashtu si edhe zgjidhjet e deritanishme, shqiptarët janë të gatshëm të kontribuojnë seriozisht që ky shtet të jetë më i zhvilluar, të krijojë kushte të mira për zhvillimin e të gjithë të rinjve në këtë shtet. Në këtë drejtim, ne do të përgatisim një platformë se si i shohim shqiptarët si një faktor të rëndësishëm në zhvillimin e këtij shteti, si në procesin e integrimeve evropiane, ashtu edhe në procesin e mbajtjes së të rinjve që të mos largohen nga vendi, sepse shohim këto ditë se në media qarkullon deklarata e ministrit të Transportit ku thotë se vendit i duhen 40–50 mijë fuqi punëtore nga jashtë. Pra, që kjo shifër të mos rritet edhe më shumë, ne duhet të punojmë që të rinjtë tanë të qëndrojnë këtu”, tha Kasami.
Në këtë mënyrë, Kasami si duket indirekt paralajmëroi se VLEN do të jetë në pushtet deri në vitin 2036, përderisa përgatit projekte qeveritare që duhet të realizohen deri në atë periudhë, shkruan Lideri.mk.
I pyetur se sa është VLEN pjesë e projekteve të mëdha infrastrukturore në vend, Kasami tha se janë të informuar për të gjitha investimet e mëdha dhe se po punohet intensivisht në gjithë territorin e shtetit, pa ndarje rajonale.
“Një nga sulmet kryesore kur u formua qeveria e re ishte se me ardhjen e VMRO-së të gjitha projektet në pjesën perëndimore të vendit do të ndërpriteshin dhe paratë do të orientoheshin në pjesën lindore. Kjo nuk ndodhi. E dimë që edhe sot po punohet, qeveria është në terren për inspektim të punimeve në pjesën e Korridorit 8, intensiteti i investimeve përgjatë Korridorit 8 është dhjetë herë më i lartë krahasuar me periudhën para se të vinim ne në pushtet. Gjithashtu, shumë shpejt do të promovohet fillimi i punimeve edhe në autostradën Shkup–Bllacë, po punojmë së bashku që sa më shpejt të shpallet tenderi për tunelin e rrugës Tetovë–Prizren”, shtoi Kasami.

