Së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Sasho Klekovski, drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi, përfaqësues të Bankës Botërore dhe të Fondit për Sigurim Shëndetësor, mirëpritëm investimin kapital prej 74 milionë euro, i cili do të transformojë dhe modernizojë Spitalin Klinik të Tetovës, theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Ky është një ndër projektet më të mëdha shëndetësore në vend, me rëndësi të veçantë jo vetëm për Tetovën dhe rajonin e Pollogut, por për të gjithë shtetin. Ai dëshmon përkushtimin e Qeverisë për të investuar në një sistem shëndetësor modern, duke krijuar kushte më të mira për pacientët dhe stafin mjekësor, sepse shëndetësia cilësore është një e drejtë themelore e çdo qytetari.
Nga sot, zyrtarisht kanë nisur përgatitjet për realizimin e këtij projekti kapital.
🔹 Investimi prej rreth 74 milionë euro parashikon:
• Modernizimin e bllokut të Kirurgjisë dhe atij të Sëmundjeve Interne;
• Ndërtimin e kapaciteteve të reja spitalore, përfshirë një objekt të ri për Gjinekologji, Obstetrikë dhe Neonatologji;
• Pajisjen me teknologji bashkëkohore mjekësore dhe sisteme moderne të teknologjisë së informacionit;
• Rregullimin e plotë të kompleksit spitalor.
Ky projekt do të rrisë ndjeshëm cilësinë e shërbimeve shëndetësore në rajonin e Pollogut, do të shkurtojë kohën e pritjes për pacientët dhe do të ofrojë shërbime më efikase, më moderne dhe më cilësore për të gjithë qytetarët.

