Bilall Kasami, njëri nga krerët e VLEN-it, ka përcjellë një mesazh të qartë dhe kërkues drejtuar të gjithë funksionarëve të VLEN-it, duke theksuar se pas vitit të parë të qeverisjes nis periudha më e rëndësishme e mandatit.

Kasami u bëri thirrje ministrave, zëvendësministrave, drejtorëve, kryetarëve të komunave, këshilltarëve dhe të gjithë bartësve të funksioneve publike që të mos e shohin pozitën si privilegj apo pronë personale, por si përgjegjësi ndaj qytetarëve që u kanë besuar votën.

“Funksioni nuk është dhuratë, e as tapi e përjetshme. Është borxh ndaj qytetarëve që e shlyejmë me punë”, theksoi Kasami.

Ai kërkoi që dyert e institucioneve të jenë të hapura për qytetarët, duke porositur funksionarët të mos i injorojnë hallet e njerëzve, të mos harrojnë aktivistët dhe të jenë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje.

Kasami nënvizoi se mandatet dhe funksionet janë të përkohshme, ndërsa ajo që mbetet është puna dhe shërbimi ndaj qytetarëve. Sipas tij, në fund të mandatit suksesi i VLEN-it do të matet me rezultatet konkrete, besimin e fituar dhe rikthimin e shpresës se politika mund të qeverisë ndryshe.

Ai u shpreh se synimi është që VLEN të lërë pas një qeverisje më të përgjegjshme, komuna më funksionale dhe një përfaqësim më dinjitoz të shqiptarëve.

sqShqip