April 27, 2024
Maqedoni

Kapet drogë në vlerë të 3 milionë e 200 mijë eurove

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për dy aksione policore në dy lokacione të ndryshme, në SPB Strumicë dhe SPB Manastir- rajoni Resnje, ku janë sekuestruar 1 ton e 600 kg lëndë narkotike me vlerë prej 3 milionë e 200 mijë euro.

Fillimisht në një kompani për prodhimin e kanabisit për raste mjekësore është kapur sasi e padeklaruar e marihuanës në vlerë të 3 milionë eurove.

“Paraprakisht, është kryer kontroll tek një kompani në Strumicë, e regjistruar për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Për shkak të parregullsive të konstatuara në subjektin juridik, është sekuestruar marihuanë e padeklaruar në vlerë rreth 3 milionë euro, me peshë totale mbi një ton e gjysmë”, tha mes tjerash ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Në të njëjtën kohë, në rrugën Ohër-Resnje, në fshatin Jankovci janë kapur 50 kilogram marihuanë në vlerë të 200 mijë eurove.

“Me urdhër të Gjykatës Themelore në Resnje janë kryer kontrolle në veturën e pasagjerëve “Shkoda Octavia”, me targa të Strumicës, e drejtuar nga K.M. (38) nga fshati Saçevë në Strumicë, në të cilën pasagjer ishte M.T. (48) nga Strumica, ku u gjetën tre thasë me marihuanë me vlerë totale rreth 200 mijë euro dhe peshë rreth 50 kilogramë. Të dy personat janë të privuar nga liria”, theksoi mes tjerash ministri Spasovski.