May 22, 2024
Rajon - Botë

Kaos në Haiti, bandat përpiqen të marrin aeroportin ndërkombëtar

Anëtarë të armatosur të bandave u përpoqën të merrnin kontrollin e aeroportit kryesor ndërkombëtar të Haitit, duke shkëmbyer zjarr me policinë dhe ushtrinë. Përshkallëzimi vjen pasi disa institucione qeveritare u sulmuan gjatë fundjavës dhe u liruan mijëra të burgosur. Në përpjekje për të parandaluar dhunën, autoritetet urdhëruan orë policore dhe gjendje të jashtëzakonshme tre-ditore.

“Ne po ndjekim me shqetësim të madh situatën e përkeqësuar të sigurisë në Haiti. Po punojmë me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar mbështetje të menjëhershme për Policinë Kombëtare të Haitit për të ndihmuar në rivendosjen e sigurisë menjëherë.”, – deklaroi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Xhon Kirbi.

Policia Kombëtare e Haitit numëron rreth 9,000 oficerë që kujdesen për sigurinë e më shumë se 11 milionë njerëzve. Vlerësohet se bandat tashmë kontrollojnë deri në 80% të kryeqytetit Port-o-Prens.

“Sekretari i përgjithshëm përsërit nevojën për veprime urgjente për të adresuar kërkesat urgjente të sigurisë së popullit haitian dhe për të parandaluar që vendi të bjerë më tej në kaos. Ai gjithashtu i bën thirrje Qeverisë së Haitit dhe aktorëve të tjerë politikë që të bien dakord shpejt për hapat e nevojshëm për të çuar përpara procesin politik drejt rivendosjes së institucioneve demokratike duke mbajtur zgjedhje.”, – theksoi zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujarriq.

Kryeministri, Ariel Henri, udhëtoi në Kenia javën e kaluar për të nxitur vendosjen e një force policore të mbështetur nga OKB-ja për të ndihmuar në luftimin e bandave.

“Tani një nga lojtarët kryesorë në këtë çështje është një drejtues bande i quajtur Xhimmi Çerizier, i njohur gjithashtu si “Skara”. Ai më parë tha se donte të merrte peng shefin e policisë së vendit dhe politikanë të tjerë.”, – u shpreh reporterja e “Associated Press”, India Grant.

Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Haiti. Ambasada amerikane vazhdoi me punë, por me kufizime, derisa Kanadaja njoftoi se do të mbyllte përkohësisht ambasadën e saj. Presidenti i ShBA-së, Xho Bajden, më parë refuzoi të angazhonte trupa, por dërgoi logjistikë dhe paralajmëroi zgjedhjet në atë vend në mesin e vitit 2025.