May 15, 2024
Maqedoni

Alternativa – Dega Kumanovë: A është vonimi i legalizimit të shtëpive vendim politik? (Video)

Të nderuar qytetar të Kumanovës, të nderuara media, këto ditë jemi dëshmitarë të një zvarritjeje të qëllimshme dhe institucionale që i bëhet problemit të legalizimit të shtëpive. Ky problem duket se është në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por është evident dhe i prekshëm veçmas për qytetarët e Kumanovës.
Siç tashmë dihet, ligji në fuqi për legalizimin e shtëpive kishte kundërvlerën e 1 euro për metër katror dhe ai ishte ligj i afatizuar, që zgjaste me periudha të caktuara kohore. 1 euro për metër katror ishte një zgjidhje kompromisi, e cila u bë me qëllim që shtëpitë e palegalizuara të kenë mundësi të legalizohen. Por, me ndryshimin e pushtetit në nivel lokal dhe qendror, ky ligj është lënë nën hije, andaj qytetarët shqiptarë, që kanë aplikuar para shumë viteve për legalizimin prej 1 euro, ende nuk e kanë marr dokumentin e legalizimit.
Kjo bën që qytetarët të ndjehen të frikësuar me ndryshimin e mundshëm të ligjit të legalizim, me të cilin thuhet se çmimi prej një euro është ndryshuar! Në të vërtetë, ka pasur tentime të caktuara politike, që pjesa e pagesës prej 1 euro të ndryshojë dhe qytetarët që e kanë nisur procedurën e legalizimit me 1 euro në fund kanë paguar çmim tjetër, natyrisht shumë më të shtrenjtë.
Pa marrë parasysh ndryshimet e këtilla, ne i pyesim autoritetet se edhe sa kohë do t`u duhet që t`ua dërgojnë një vendim legalizimi qytetarëve që kanë aplikuar për këtë gjë? Apo ndoshta ky problem do të zvarritet deri në pafundësi, sepse zgjidhja e tij i avancon qytetarët e etnive të diskriminuara? Mos, ndoshta, kjo zvarritje nënkupton detyrime të tjera politike, zhvatje, kërcënime apo kushtëzime të formave të ndryshme, të njohura mjaft mirë për mjedisin tonë politik.
Koalicioni Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët në Kumanovë, me marrjen e pushtetit, u siguron qytetarëve se zvarritje të këtilla të qëllimshme, që janë në dëm të qytetarëve, nuk do të lejohen në asnjë mënyrë. Qytetari është mbi të gjitha. Ka ardhur koha që t`u japim fund zvarritjeve të qëllimshme institucionale.

Alternativa – Dega Kumanovë
Kumanovë, 30.06.2021