Maqedoni

Kamarieri me dy fakultete synon udhëheqjen e Kaçanikut

41 vjeçari, Kastriot Bushi nga Kaçaniku, ndonëse ka përfunduar fakultetin e Psikologjisë dhe Filozofisë, tani merret me krejt diçka tjetër.

Kaçanikasi, tash e 3 vjet menaxhon një kafiteri në qendër të qytetit. Pos menaxhimit ai punon edhe ai kamarier dhe çdo ditë iu shërben klientëve.

Megjithatë, tani ia ka vënë vetes një tjetër qëllim, më madhor. Por që sërish do jetë në shërbim të kaçanikasve. Bushi ka zyrtarizuar kandidaturën kandidat i pavarur për kryetar të Kaçanikut.

“Mirë se vini në Kaçanikun e njerëzve heronj, njerëzve luftëtarë, njerëzve të pendës, kulturës, njerëzve zotëri, begri dhe agallarë”, tha Bushi kandidat për kryetar të Kaçanikut.

Kastrioti, i lindur dhe i rritur në Kaçanik, beson fuqishëm në fitore, madje thotë se është njeriu ideal për këtë pozitë.

“Kaçanikut I duhet një kryetar që shkon me çadër në punë. Ka nevojë për një kryetar që shkon në punë me biçikletë në punë. Ka nevojë për një kryetar që shkon në këmbë në punë. Ka nevojë për një kryetar që I përshëndet njerëzit kur qohen të shkojnë në punë, dhe kur flenë. Se të shërbesh në kafieri, shërbim do të thotë ta njohësh njeriun”, foli Bushi.

Kandidati i pavarur beson se puna e tij prej disa vjetësh në kafiteri, i ka krijuar mjaftueshëm përvojë sa për të ditur se cilat janë hallet më të mëdha të qytetit.

“Ta kesh njeriun e duhur në pozitën e duhur, edhe puna natyrisht që del e mirë. Po kur nuk e ke njeriun e duhur, atëherë puna shkon llom. Unë jam një person që nuk frikohem nga puna. Puna frikohet nga unë, sepse jam I kalitur thjesht me punu”, shtoi tutje ai.

Kastriot Bushi, beson se me mbështetjen e bashkëqytetarëve, më 17 tetor do ta marrë udhëheqjen e Kaçanikut qytet që për 21 vjet u udhëhoq nga PDK./ATVLIVE/