May 16, 2024
Maqedoni

Jonuzi: Ndërpritet greva e urisë e 213-të të burgosurve në “Idrizovë”

Gjithsej 213 të dënuar nga reparti gjysmë i hapur në I.N.P. “Idrizovë” pasdite e ndërprenë grevën e urisë të cilën e filluan herët në mëngjes, konfirmoi për MIA-n zëvendësdrejtori i institucionit Femi Jonuzi.

Ai informoi se të dënuarit janë vizituar nga ana e Avokatit të popullit, nga ekipet e Autoritetit të Zbatimit të Sanksioneve. Ai theksoi se të dënuarve të lënduar vazhdimisht u jepet ndihmë mjekësore.

Jonuzi theksoi se ekipet e Autoritetit të Zbatimit të Sanksioneve bisedojnë me të burgosurit, të punësuarit dhe drejtorinë e burgjeve që të tejkalohet problemi dhe të konfirmohet gjendja faktike.

Të dënuarit nga Institucioni Ndëshkues Përmirësues “Idrizovë” dje kërkuan takim me Avokatin e Popullit dhe me Komitetin e Helsinkit, ndërsa në të kundërtën, siç njoftuan do të fillojnë grevë urie.

Nga drejtoria e I.N.P. “Idrizovë”, dje konfirmuan se te ata ka mbërritur një letër me njoftim për grevë urie. Në letër theksohet se greva ,mbahet për shkak të të dënuarve të cilët ishin lënduar gjatë kontrollit të fundjavës në repartin gjysmë të hapur.

“Ne të dënuarit në INP “Idrizovë” ju njoftojmë se nga nesër, 31 tetor, do të fillojmë me grevë urie për shkak të të dënuarve rëndë të lënduar, të cilëve nuk u ofrohet kujdes mjekësor edhe pse janë të lënduar rëndë, si pasojë të aksionit të policisë”, thuhet në letrën e të burgosurve.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar këtë fundjavë se gjatë një bastisje në repartin gjysmë të hapur në “Idrizovë”, në një përleshje me një grup të burgosurish, të cilët kanë rezistuar, janë lënduar 10 policë. Gjatë kontrollit, siç thuhet u gjetën 63 telefona celularë, 82 thika, 71 karikues të celularëve dhe drogë.