Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zyrtar Drejtorin e Ushtrisë së Gardave Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjenerallejtënant Jonathan M. Stubbs i shoqëruar nga Gjeneral Major Levon E. Cumpton dhe delegacioni i tij.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Byrosë së Gardës Kombëtare të ShBA-së, në veçanti me Gardën Kombëtare të Ajovas.

“Gjatë takimit u vlerësua lart mbështetja në ngritjen e kapaciteteve profesionale, zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta dhe avancimin e ndërveprueshmërisë që FSK ka krijuar me partnerët e saj. Gjithashtu, Gjeneral Jashari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e vlerësuar këtë partneritet si thelbësor për zhvillimin dhe modernizimin e FSK-së”, u tha në njoftimin e FSK-së në Facebook.

Gjatë takimit, thuhet se palët u pajtuan se Programi i Partneritetit të Përbashkët (SPP) ndërmjet Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, është një shembull i suksesit dhe arritjeve të përbashkëta në aktivitete të ndryshme.

Në fund të takimit, të dy gjeneralët thuhet se u pajtuan që thellimi i bashkëpunimit është thelbësor për avancimin e ndërveprueshmërisë së forcave respektive.

“Njëherësh u theksua nevoja e mbështetjes së ShBA-së në përmbushjen e synimit tonë strategjik, drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare të sigurisë, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal”, u potencua në njoftimin e lëshuar nga FSK-ja.

sqShqip