May 3, 2024
Maqedoni

Janakieski doli në gjykatë pa shoqërimin e policisë

I akuzuari Mile Janakievski, pas tre vitesh, sot doli në gjykatë pa përcjellje policore, pasi Apeli dje ia hoqi arrestin shtëpiak. Ai erdhi në gjyq për rastin TNT, që zgjat më shumë se tre vjet dhe është ende në procedurë dëshmuese. Ndërkaq, prokurorja Ruskovska paralajmëron se do të kërkojë siguri për Janakievskin, sepse ekziston rreziku i arratisjes, para se të hyjë në fuqi aktgjykimi prej gjashtë vitesh burg për dhunën e 27 prillit.

I pashoqëruar nga policia, por me avokatin e tij. Mile Janakieski, pasi kaloi tre vjet në arrest shtëpiak, sot si qytetar i lirë doli në gjykim për rastin “TNT”, ku akuzohet për rrënimin e kompleksit “Kosmos”. Janakieski sot nuk ka deshi të komentojë vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila dje i hoqi arrestin shtëpiak.

“Nuk e di. Gjithçka që di është nga mediat”, tha Mile Janakieski- i akuzuar

Vendimi i Gjykatës së Apelit për ndërprerjen e arrestit shtëpiak është marrë në bazë të vlerësimit se Janakieski ka qenë në paraburgim kohë të gjatë. Këtë qëndrim e ka përfaqësuar Këshilli penal i gjykatësve në Gjykatën e Apelit- Shkup. Mirëpo, këtë mendim nuk e ka edhe Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kryetarja e kësaj prokurorie, Villma Ruskovska, vlerëson se tashmë është e mundur arratisja e Janakieskit dhe paralajmëroi se do të kërkojë paraburgim deri në vendimin për rastin “Organizatorët e ngjarjes më 27 prill të vitit 2017”. Në këtë rast, Janakieski këtë verë u dënua me gjashtë vjet e tre muaj burg. Ruskovska tashmë e ka ankimuar këtë vendim në Apel, pasi vlerëson se dënimi është i ulët për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Ruskovska për Alsat tha se pas marrjes së vendimit për shfuqizimin e paraburgimit të Janakieskit, vetëm atëherë do të vlerësojë nëse do ta kërkojë paraburgimin në procedurë të rregullt apo me mjet të jashtëzakonshëm juridik në Gjykatën Supreme.

“Dua ta shoh së pari aktvendimin”, theksoi Vilma Ruskovska, prokurore

Përderisa tashmë ka aktgjykim të shkallës së parë për rastin e 27 prillit, çështja “TNT” e iniciuar nga PSP, -ja e nisur në vitin 2018, është ende në procedurë provash. Avokati Merxhan Dauti, i cili përfaqëson njërin nga të pandehurit, sot ka kërkuar përjashtimin e prokurorit Burim Rustemi, gjë e cila është refuzuar nga gjykata dhe gjykatësi ka konstatuar tentativë për zvarritje të re të procedurës. Gjykimi për TNT ka nisur në fillim të vitit të kaluar, kur mandati i një gjykatësi porotë ka përfunduar para përfundimit të gjykimit.