Ish-kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, ka hedhur poshtë spekulimet se mund ta braktisë vendin pas njoftimeve për vuajtjen e një dënimi me burg dhe urdhrit për paraqitje në burgun e Shutkës.
Në një paraqitje në emisionin “Во центар”, ai deklaroi se nuk ka ndërmend të largohet dhe se do ta pranojë çdo vendim gjyqësor.
Jakimovski tha se nuk e sheh veten në një skenar të ngjashëm me atë të ish-kryeministrit Nikola Gruevski, i cili u largua nga vendi para se të vuante dënimin me burg.
“Ku do të ikja? Pse do të ikja? Kurrë nuk kam menduar për një gjë të tillë, çfarëdo qoftë dënimi”, deklaroi ai.
Ai theksoi se do ta respektojë vendimin e gjykatës, edhe pse sipas tij rasti ndaj tij është i konstruktuar politikisht. Jakimovski shtoi se nëse vërtetohet se ka kryer vepër penale dhe ka dëmtuar buxhetin dhe qytetarët, do të kërkonte falje dhe do të pranonte një dënim më të lehtë, por në të kundërtën, siç tha ai, do ta vuajë dënimin.
“Prej varrit nuk kthehesh, prej burgut kthehesh”, tha Jakimovski.
Ish-kryetari i Karposhit gjithashtu bëri të ditur se ka probleme shëndetësore, duke theksuar se është operuar nga kanceri në mushkëri dhe se në dhjetor duhet të shkojë për kontroll në Vjenë, por shtoi se kjo nuk është arsye për t’u larguar nga vendi.
Duke iu referuar kritikave politike, Jakimovski vlerësoi se sulmet ndaj tij lidhen me frikën nga rezultati i tij politik në zgjedhjet e ardhshme lokale në Karposh.

