Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi

Ndërhyrjet e Edi Ramës në Kosovë fillojnë si justifikim kulturor dhe përfundojnë në qëndrimet e tij politike pro Serbisë dhe kundër Kosovës.

1. Kur i dha Goran Bregoviç çelësin e Tiranës në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, ai shfaqi për herë të parë sentimentin e tij anti-Kosovë. Me këtë akt Edi Rama promovoi dhe nderoi një këngëtar anti-shqiptar të Sllobodan Milosheviçit. Ju ndoshta nuk e quani këtë ndërhyrje, por në fakt është përdhosje e gjakut të Kosovës në nderim të një nacionalisti serb anti-shqiptar.

2. Edi Rama ndërhyri kur lartësoi shkrimtarin serb Ivo Andriç, i cili ishte bërë ideologu kryesor i shfarosjes së mbi 40 mijë shqiptarëve në Kosovë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në të njëjtën ditë, (2016) në Nish kryeministri i Shqipërisë lartësoi edhe regjizorin e filmave nacionalstë anti-shqiptarë serbë, Koshturica. Edhe ky kishte krijuar filma në frymën e ideologjisë fashiste të Milosheviçit. Edi Rama jo vetëm e mori në mbrojtje atë, por edhe e lartësoi si figurë. Lehtësisht kuptohet se kreu i ekzekutivit shqiptar përpiqet të lartësojë kulturën serbe, për ta rehabilituar mentalitetin serb ultranacionalist e ultrashivinist. Qartësisht ai ka punuar që përmes nderimit të figurave të letërsisë, artit skenik e filmik të realizojë rehabilitimin kulturor të Serbisë. Nuk e ka bërë këtë me figurat e kulturës shqiptare në Kosovë. Nuk e di të ketë shkuar Edi Rama në Prishtinë e të lartësojë një emër të madh të letërsisë dhe artit shqiptar, p[ërveç Rexhep Qosjes, i cili është bashkë-ideolog i Ramës për ndarjen e Kosovës.

3. Edi Rama u bashkua fillimisht me idenë e Aleksandër Vuçiq për “krijimin e Jugosllavisë së Re”, në të cilën sipas projektit do të bënte pjesë Kosova dhe Shqipëria. Ishin vitet 2014-2016 këto. Dhe kjo përpjekje drejtohej kundër Kosovës e njëkohësisht kundër Shqipërisë.

4. Por kur u pa se një projekt i tillë kishte shumë vështirësi për t’u realizuar, atëherë Rama përhapi narrativën serbe të ndarjes së Kosovës përmes të ashtuquajturit shkëmbim territoresh. Ia prezantoi këtë projekt ish-ministrit suedez të Punëve të Jashtme, Carl Bild. Ai e dëshmoi këtë fakt në një artikull në gazetën Financial Times, gjë për të cilën nuk reagoi Rama. Ka njëmijë prova të tjera, të cilat dëshmojnë se kryeministri i Shqipërisë ka folur në emër të Kosovës dhe ka marrë përsipër për ta realizuar projektin e Aleksandër Vuçiq për ndarjen e Kosovës. Mjafton të ndjekësh në Youtub tryezat e debatit me Ramush Haradinajn, kur ai ishte kryeministër i Kosovës dhe pati vënë taksën kundër mallrave serbe dhe do të kuptohet e provohet lehtë se Edi Rama jo vetëm ka ndërhyrë në çeshtjet e Kosovës, por ka lobuar fuqishëm me të gjithë anti-shqiptarët, përfshirë Richard Grennell, për ta ricopëtuar territorin e Kosovës.

5. Ndërhyrja më e tmerrshme dhe unike e Edi Ramës në Kosovë lidhet me përçarjen e faktorit politik në këtë vend. Kosova është sot e përçarë dhe nuk po mundet as të zgjedhë kreun e shtetit të saj për shkak të përçarjes që ka krijuar në këtë vend Edi Rama. Ai arriti që t’i përçajë edhe dy aleatët kryesorë në qeverisjen e vendit, kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani. Pati arritur t’i thotë kryeministrit dhe homologut të tij në Kosovë, zotit Haradinaj, “Gomar” në konferencën e shtypit në Pejë në nëntor 2018, pse ky i fundit i pati thënë Hashim Thaçit “tradhtar” për shkak të impenjimit të tij bashkë me Ramën për ta zhbërë shtetin e Kosovës përmes ndarjes së territorit me Serbinë.

6. Edi Ramën ne e kemi dëgjuar me mijëra herë ta kërcënojë Albin Kurtin nga samitet e Open Balkan në Tiranë, Beograd, Ohër, Shkup etj pse ky i fundit e refuzoi projektin serb të sundimit të Beogradit në rajonin e Ballkanit Perendimor. Edhe ajo nuk quhet ndërhyrje në punët e Kosovës, sipas Edi Ramës?!

7. Edi Rama mori inspektoren e shkarkuar të shërbimit sekret në Kosovë dhe në shenjë sfide ndaj presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti e çoi në detyrën më të rëndësishme të Shqipërisë, si shefe të shërbimit sekret të saj. Ishte ky akt një sfidë kërcënuese për Kosovën dhe institucionet e saj. Po ashtu u ka aktivizuar në Shqipëri të gjithë kundërshtarët e Ramës, duke filluar nga Besa Shahini e deri të Aliu

8. Edi Rama ka porosiitur në vazhdimësi ambasadorët shqiptarë kudo nëpër botë, që të lobojnë për ndarjen e Kosovës si mundësia më e mirë e zgjidhjes së konfliktit me Serbinë. Në këtë kuadër ai ka punuar kundër njohjeve të reja të Kosovës.

9. Edi Rama në fakt ndërhyrjen kundër Kosovës e ka realizuar më së shumti duke ndihëmuar armikun e saj, Serbinë e Aleksandër Vuçiq. E ndihëmoi atë në të gjitha raportet ndërkombëtare, sepse e paraqiti presidentin e Serbisë si binjak të tij “në përpjekjet për paqe në rajon”! E rehabilitoi nga krimet makabre që vetë ky president i Serbisë ka bëtë në luftërat në ish-Jugosllavi. E rehabilitoi kur e mori në mbrojtje në samitin e NATO-s në rastin që Serbia nuk pranoi të vendosë sanksione kundër Rusisë. E mbrojti Serbinë dhe i dha asaj alibinë për mosnjohjen e Kosovës edhe në rastin e fundit të letrës së përbashkët me të cilën dy autokratët e Ballkanit heqin dorë nga integrimi politik në Bashkimin Europian. Gjë që është kryekëput interes i Serbisë dhe gur në qafën e Kosovës.

10. Kryeministri i Shqipërisë sa herë kryen akte dhe veprime politike e diplomatike kundër Kosovës, aq herë i kthehet retorikës dhe deklaratave propagandistike pro Kosovës, siç qe ajo se “Shqipëria dhe Kosova do të mbrohen së bashku”! Vetëm kur përmend premtime me mashtrime të perspektivës së supozuar, ai bëhet me Kosovën ose hiqet se është me Kosovën. Kur është fjala për akte dhe vepra, nuk mund të gjej në asnjë rast ndonjë vepër të tij në të mirë të Kosovës. Edhe hekurudha Durrës-Prishtinë është propagandë e gjallë dhe mashtrim i pastër në tredimensional.

Për të gjitha këto arsye dhe mijëra të tjera, shumicën prej të cilave shqiptarët do t’i mësojnë kur të hapen arkivat, Edi Rama është armiku numër dy i Kosovës, pas Aleksandër Vuçiq, edhe pse përpiqet të fshihet pas gishtit të gaxhoit.

sqShqip