Kryeministri Hristijan Mickoski ka shpallur zyrtarisht emrat e ministrave të rinj që do të përfshihen në rikonstruksionin e Qeverisë, propozim ky që do të dorëzohet në Kuvend deri më 3 korrik, përcjell INA.
Ky rikonstruksion sjell ndryshime të rëndësishme në përbërjen e ekzekutivit. Në këtë valë ndryshimesh përfshihen gjithsej 7 ministri, ku kemi lëvizje të dikastereve, emërime të reja dhe ndryshim të strukturës ministrore: shtohet një ministër pa portofol nga komuniteti rom, ndërsa shfuqizohet plotësisht një dikaster ekzistues (resori për qeverisje të mirë)

Me këto ndryshime, numri i përgjithshëm i anëtarëve të kabinetit qeveritar mbetet i njëjtë, me gjithsej 24 anëtarë (Kryeministri dhe 23 ministra).

Përbërja e re ministrore e ndarë sipas partnerëve të koalicionit është si vijon:

VMRO-DPMNE dhe partneret e saj

Partia udhëheqëse bën rokada të rëndësishme në sektorët e shëndetësisë dhe politikës sociale, si dhe propozon një ministër të ri pa portofol:
Sasho Klekovski – Propozohet për Ministër të Shëndetësisë (vjen nga pozita e drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor – FSSH).

Gjoko Velkovski – Propozohet për Ministër të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë (promovohet nga pozita e zëvendësministrit).

Ivan Stoilkoviç (Partia Demokrate e Serbëve) – Kalon si Ministër i Vetëqeverisjes Lokale (deri më tani mbante postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Sistem Politik).

Exhjan Demir – Propozohet si Ministër pa portofol, përgjegjës për integrimin e romëve (ministër i shtuar nga komuniteti rom).

VLEN

Partneri shqiptar i koalicionit do të marrë drejtimin e tri ministrive kyçe, përfshirë Drejtësinë dhe Sistemin Politik:

Jeton Shasivari (Profesor universitar) – Propozohet jozyrtarisht për Ministër të Drejtësisë.

Sedat Sulejmani – Propozohet për Ministër të Kulturës dhe Turizmit (vjen nga pozita e zëvendësministrit).

Agon Ferati – Propozohet për Zëvendëskryeministër dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Lëvizja ZNAM

Partia ZNAM zgjeron ndikimin e saj duke marrë një dikaster të ri strategjik, ndërsa mbron pozicionin në administratë:

Borçe Serafimovski (Nënkryetar i partisë) – Propozohet për Ministër të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (vjen nga pozita e sekretarit shtetëror në këtë ministri).

Goran Minçev – Mbetet në krye të Ministrisë së Administratës Publike.

Me rikonstruimin shfuqizohet plotësisht Ministria (resori) për Qeverisje të Mirë, vend i mbetur i zbrazët pas dorëheqjes së ministrit Arben Fetai. Ky dikaster kalon drejtpërdrejt nën ingerencat e Kabinetit të Kryeministrit. Mickoski njoftoi se Partia Demokrate e Turqve (PDT) hyn zyrtarisht në koalicionin qeverisës dhe do të marrë një ministër pa portofol.(INA)

sqShqip