April 29, 2024
Rajon - Botë

Izraeli intensifikon bombardimet në Rripin e Gazës, rritet numri i viktimave

Numri i të vdekurve në Gaza po rritet me shpejtësi pasi Izraeli shtoi sulmet ajrore duke rrafshuar godina të tëra. Të paktën 2 000 fëmijë në Gaza kanë humbur jetën që nga nisja e luftës. Sipas mjekëve, nëse Izraeli nuk lejon furnizimin me karburant, shumë foshnja dhe të pacientë të tjerë në spitale mund të vdesin.
Në 24 orët e fundit janë vrarë 6 punëtorë të agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë. Në përgjithësi, 35 anëtarë të kësaj agjencie janë vrarë qe nga 7 tetori kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit.

Izraeli ka intensifikuar fushatën e bombardimeve në brezin e rrethuar. Sulmet konsiderohen si parapërgatitje për një ndërhyrje eventuale nga toka. Shtetet e Bashkuara këshilluan Izraelin të anulonte ndërhyrjen për të lënë hapësirë për të negociuar lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi. Ndërkohë Hamasi ka liruar dy gra të moshuara izraelite të cilat po mbaheshin peng në Gaza.

Ato, bashkë me bashkëshortët, u rrëmbyen nga shtëpitë e tyre në qytetin afër kufirit me Gazën, Nir Oz, nga militantët e Hamasit. Bashkëshortët e tyre nuk janë liruar. Hamasi dhe grupet e tjera militante në Gaza besohet se rrëmbyen rreth 220 njerëz, përfshirë një numër të pakonfirmuar të të huajve dhe personave me dyshtetësi. Më shumë se 5,000 palestinezë dhe mbi 1400 izraelitë, kryesisht civilë janë vrarë që nga nisja e luftimeve.