Izet Zeqiri edhe zyrtarisht rektor në UNT
Izet Zeqiri do të marrë në dorë menaxhimin e Universitetit Nënë Tereza nga pozita e Rektorit, sapo të përfundojnë procedurat e brendshme institucionale pas zgjedhjes së tij. Zeqiri thotë se në mandatin e tij do të përqendrohet në menaxhimin e cilësisë, bashkëpunime ndëruniversitare, bashkëpunime me sektorin e biznesit dhe përmirësimin e kushteve infrastrukturore të punës për studentët dhe stafin akademik, shkruan Alsat.
“Do të punojmë shumë në menaxhimin e cilësisë në mënyrë që Universiteti Nënë Tereza të rangohet së paku në pesë universitetet e para në vlerësimet që bëhen në Maqedoni. Posaçërisht objektiva kam në trajnimin, zhvillimin e stafit të UNT-së, në fushën e komunikimit dhe bashkëpunimit si dhe bashkëpunimit ndëruniversitar. E kam si prioritet bashkëpunimin ndëruniversitar me universitetet shqiptare, posaçërisht me universitetin e Tetovës, me Universitetin e Evropës Juglindore, në funksion të pozitës së arsimit të lartë në Maqedoni”, tha Izet Zeqiri, rektor i sapozgjedhur i UNT-së
Në fillimet e saj, UNT-ja u përball me mungesë të theksuar kuadri. Zeqiri thotë se ky institucion është etabluar me kuadrin e rregullt dhe atë me kohë të pjesshme dhe nuk ka probleme në plotësimin e kushteve ligjore për vijimin e punës, por zgjerimi i bashkëpunimeve është i nevojshëm.
“Është shumë sfidë edhe rritja e numrit të profesorëve në UNT, posaçërisht avancimin e profesorëve inordinar dhe ordinar dhe në këtë drejtim duhet të punohet për reintegrim të të gjithë shkencëtarëve, hulumtuesve, profesorëve shqiptar gjithandej në botë”, tha Izet Zeqiri, rektor i sapozgjedhur i UNT-së
Universiteti Nënë Tereza filloi punën në fund të vitit 2016 por nuk e ka zgjidhur akoma problemin me hapësirat. Ky institucion vazhdon të funksionojë në dy objekte, pjesërisht në objektin e Lidhjes së Sindikatave dhe pjesërisht në hapësirat e shkollës fillore “Kongresi i Manastirit”. Plani për ndërtimin e kampusit universitar ekziston, është plotësuar dhe ndryshuar disa herë, por nuk është realizuar. Në hapësirat e kazermës Ilinden, UNT-ja tashmë ka në pronë njërin nga objektet ekzistuese i cili është në fazën e riparimit dhe përshtatjes për laboratorë. Plani thotë Zeqiri, është që këto laboratorë të jenë në shërbim të studentëve në fillim të vitit të ardhshëm akademik. Por, afër tyre, ndërtimi i objektit të ri të universitetit në modelin e kampusit universitar duket se do të marrë edhe më shumë kohë.
“Ne shpresojmë që fillimin e vitit akademik ta kemi në objektin e renovuar në kampusin e ardhshëm të UNT-së kurse për çështje të tjera të projektit, edhe aty ka lëvizje pozitive por për ato duhet zgjidhje paraprake, vendim i qeverisë dhe organeve të tjera”, tha Izet Zeqiri, rektor i sapozgjedhur i UNT-së
Në prezantimin e projektit të plotë, UNT-ja kishte planifikuar mbylljen e procedurës administrative në pranverë të vitit 2018 dhe përfundimin e tërësishëm të projektit brenda tre viteve. Megjithatë, lejen e ndërtimin nga Komuna e Çairit, e ka marrë tre vjet më vonë, në shtator të vitit 2021. Procedura kishte ngecur gjatë edhe në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Transportit dhe Lidhjeve. Komplet, kompleksi universitar Nënë Tereza është projektuar të kushtojë mbi 38 miliardë denarë. /Alsat.mk