May 13, 2024
Maqedoni

ASH e cilëson si frikë për pjesëmarrje në zgjedhje kërcënimin e opozitës shqiptare

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se kërcënimet e Lidhjes Evropiane për Ndryshim se në rast se nuk votohet kandidati i tyre për KSHZ, do ta bojkotojnë kuvendin është alibi për të mos qenë pjesë e procesit zgjedhor.

Azir Aliu nga ASH-ja shton se partia e tij do të veproj sipas rregullave, procedurave dhe ligjeve që dalin nga Kuvendi.

“Unë frikohem se mos janë procese në të cilat dëshirojnë të mos jenë pjesë e zgjedhjeve. Këtë nuk dua ta besoj, por sidoqoftë ka procedura në Kuvend, rregullat, ligjet dhe procedurat të cilat ne i ndjekim dhe sipas këtyre rregullave dhe procedurave ne do veprojmë”, theksoi Azir Aliu, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratë.

Nga VMRO-DPMNE u përgjigjën se është e pakuptimtë kjo çështje të problematizohet kur është e qartë se kandidati duhet të vij nga opozita.

“Ky është edhe një indikator se pushteti nuk vlerëson të realizoj një proces të drejtë zgjedhor. Në këtë kontekst, nëse nuk ndryshon qasja e pushtetit humbet edhe poenta e pjesëmarrësve të tjerë, anëtarë të opozitës në KSHZ. Nuk planifikojmë të jemi vetëm dekor në një Komision Zgjedhor të diktuar nga pushteti”, u shpreh Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

Një ditë më pare, Lidhja Evropiane për Ndryshim paralajmëroi masa radikale, në rast se nuk votohet kandidati i tyre i propozuar për anëtarë të KSHZ-së. Mes tjerash, nga LEN kërcënuan se në ditën e zgjedhjeve nuk do të lejojnë hapjen e kutive të votimit në komunat që drejtohen nga opozita shqiptare.

“Ne do ti shikojmë të gjitha format tjera, atë që deklaruam bojkotimi I Kuvendit, protestat, bllokada e Kuvendit, deri në atë të fundit që e kemi analizuar dhe e shqyrtojmë si mundësi që në komunat që udhëhiqen nga opozita shqiptare, në këtë rast bëhet fjalë për Tetovën, Zhelinën dhe Çairin mos të lejojmë që ditën e zgjedhjeve të hapen kutitë e votimit. Nëse Qeveria mendon që do ta shfrytëzoj këtë situatë, që t’ia pamundësoj opozitës të ketë anëtarin e vet duhet ta ketë parasysh që nuk jemi opozitë me kapacitet të pamjaftueshëm për të mbrojtur të drejtën tonë”, tha Bilall Kasami, LEN.

Nuk dihet akoma se kur do të vendosen në votim në Kuvend emrat e dy kandidatëve të cilët janë përzgjedhur nga partitë politike për një pozitë të anëtarit të KSHZ-së. 2/3 e deputetëve duhet të votojnë mes Abdush Demirit, të propozuar nga Lëvizja Besa dhe Alternativa, si dhe Zulfi Adilit, të propozuar nga Partia Demokratike Evropiane. Opozita shqiptare thotë se u takon atyre një anëtar në KSHZ dhe se ky institucion nuk guxon të mbetet me një anëtar më pak.

Kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski tashmë ka deklaruar se nëse vazhdon kjo qasje dhe opozitës shqiptare t’i pamundësohet zgjedhja e anëtarit të KSHZ-së, do ta shqyrtojë mundësinë që të tërheqë edhe ai anëtarët e tij sepse ka dyshime për një proces zgjedhor jolegjitim.