Sonte në hotelin “Holiday Inn”, Izet Mexhiti pritet të zyrtarizojë shkrirjen e Lëvizjes Demokratike (LD), përkatësisht shpërbërjen e të gjitha organeve partiake dhe strukturave drejtuese të saj, shkruan Zhurnal.mk
Ky hap vjen në kuadër të procesit të unifikimit të subjekteve opozitare shqiptare, me qëllim krijimin e një force të përbashkët politike.
Me këtë vendim, Lëvizja Demokratike e Mexhitit, së bashku me Aleancën për Shqiptarët (krahu i Arben Fetait), Lëvizja Besa dhe subjektet e tjera pjesë e koalicionit “VLEN”, do të ecin drejt formalizimit të një partie të vetme politike.
Burime partiake bëjnë të ditur se procesi përfshin shkrirjen e organeve partiake ekzistuese dhe integrimin e strukturave në një organizim të ri, të përbashkët, transmeton Zhurnal.mk
Qëllimi është konsolidimi i spektrit politik shqiptar në një subjekt unik, i cili do të funksionojë si një parti e vetme nën ombrellën e “VLEN”.
Ky zhvillim konsiderohet si një nga lëvizjet më të rëndësishme në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, pasi shënon fundin e funksionimit të disa subjekteve të ndara dhe nisjen e një kapitulli të ri politik përmes bashkimit të tyre në një strukturë të vetme./Zhurnal.mk

