“Ishin t’u nejtë, shiu ua rrëzoi shtëpinë”, detaje nga rasti tragjik i familjes Ademaj në Pejë
Vërshimet që u shkaktuan mbrëmë nga shiu i madh në Pejë lanë të vdekur një nënë dhe fëmijën e saj 5 vjeçar.
Kryetarja e Bashkësisë Lokale “2 Korriku” në Pejë, Valbona Avdijaj, ka shpalosur disa detaje të reja për humbjen tragjike të dy personave, nënë e bir pas vërshimeve të mëdha me të cilat u përballë qyteti.
Ajo tha se u lajmërua nga banorët e qytetit që vërshimet në lagjen “Asllan Qeshme”, ku banonin edhe dy viktimat, janë të nivelit të lartë, teksa shtoi se nga po të njëjtit kuptoi edhe lajmin për vdekjen e fëmijës 5-vjeçar.
Me të marrë këto informacione, ajo tha se kishte telefonuar kunatën e nënës së 5-vjeçarit, e cila dhe ia konfirmoi rastin e rëndë.
“Ndodhi papritur, të reshurat e shiut ishin të mëdha dhe i morën dy jetë njerëzish. Ishin në shtëpi brenda t’u nejtë, shiu i madh e rrëzoj shtëpinë”
“Jam shumë e mërzitur si kryetare e Bashkësisë lokale. E di, ekipet emergjente, drejtoriati i Emergjenës u munduan, por aq ishte fuqia e madhe e ujit, saqë ndodhi çka ndodhi…”, u shpreh ajo.
Ajo gjithashtu shtoi se të gjithë banorët e lagjës “2 Korriku” u angazhuan në orët e mesnatës për gjetjen e dy kufomave.