Rreth njëzet ish-funksionarë dhe një funksionare aktuale e LSDM-së të mërkurën promovuan një lëvizje të re – një alternativë brenda hapësirës socialdemokrate, e cila sipas tyre synon të riafirmojë idenë socialdemokrate, pasi vlerësojnë se ajo nuk po artikulohet siç duhet nga LSDM-ja nën drejtimin e liderit aktual, Venko Filipçe.
Në takim morën pjesë figura të njohura të dikurshme të LSDM-së, si ish-nënkryetari Igor Ivanovski, i cili udhëheq grupin, ish-sekretari i përgjithshëm Nikola Qurkçiev, Emilijan Stankoviq, ish-nënkryetarët Andrej Petrov dhe Gordan Georgiev. Nga funksionarët aktualë ishte e pranishme deputetja Sllavjanka Petrovska, e cila garoi për postin e kryetares së LSDM-së përballë Venko Filipçes, si edhe kryetarja e Partisë Liberal-Demokrate dhe deputetja Monika Zajkova.
Në tubimin e titulluar “Biseda për të Ardhmen”, morën pjesë edhe avokati Zvonko Davidoviq dhe politologu Nenad Markoviq.
“Nuk jemi fraksion”
Në komunikatën e publikuar pas takimit, pjesëmarrësit theksuan se hapësira opozitare nuk plotësohet me parti të reja, por me një revolucion ideologjik dhe vlerash.
“Maqedonia ka nevojë për një kontratë të re shoqërore si bazë për krijimin e një potenciali të gjerë opozitar për ndryshim. Publiku demokratik progresist ka nevojë për debat të mirëfilltë dhe objektiv, i cili për të arritur qëllimin duhet të jetë i çliruar nga nevoja e zakonshme për t’u pëlqyer autoriteteve partiake”, thuhet në komunikatë.
Në të theksohet gjithashtu se tubimi, i zhvilluar me titullin “Biseda për të Ardhmen në 12:05”, është një platformë e re demokratike për ngritjen e nivelit të debatit shoqëror.
“Ora 12:05 është një mesazh simbolik se tashmë është vonë, por nuk guxojmë të lejojmë që të bëhet tepër vonë për Maqedoninë”, thuhet nga pjesëmarrësit.
Në biseda jozyrtare, disa prej tyre, duke iu përgjigjur pyetjes së Deutsche Welle nëse janë fraksion i LSDM-së, thanë se nuk janë, pasi nuk janë pjesë e strukturave të partisë dhe se statuti aktual i LSDM-së nuk është mjaftueshëm demokratik për të lejuar krijimin e fraksioneve. Megjithatë, disa prej tyre deklaruan për DW se synimi është transformimi i LSDM-së.
“Unë mbetem në LSDM, nuk largohem. Qëllimi i platformës sonë të re është të ushtrojmë presion brenda LSDM-së”, deklaroi një pjesëmarrës që kërkoi të mbetet anonim.
Po ashtu, u tha jozyrtarisht se nisma është nxitur nga gjendja e keqe në vend dhe nga mundësia që brenda gjashtë muajve të mbahen zgjedhje të parakohshme, gjë që sipas këtij grupi nuk do të ishte zhvillim i mirë për vendin.
Venko Filipçe reagoi ndaj iniciativës duke deklaruar:
“Ekziston Fronti për të Vërtetën dhe Drejtësinë. Gjithçka tjetër është e rreme. Në vend që të marrin pjesë në një tubim të tillë, le të hapin profilin në Facebook të Latasit ose të ndezin Alfa TV – aty do të gjejnë mjaftueshëm ‘mendim ndryshe’, i cili çdo ditë helmon qytetarët me gënjeshtra dhe me armiq të trilluar të Maqedonisë, identitetit, gjuhës dhe kulturës.”
Ai bëri edhe një krahasim me lëvizjen ZNAM, duke theksuar:
“Tani që e dimë se një herë u krijua një ‘ZNAM’ nga Mickoski dhe një grup njerëzish që fillimisht tradhtuan partinë e tyre, e më pas edhe votuesit e tyre, duke shërbyer që votat e opozitës të shndërroheshin në vota për Mickoskin dhe bandën e tij, atëherë pjesëmarrja në një tubim të organizuar nga të njëjtët njerëz nuk kërkon shumë shpjegime.”
Ngjarja u zhvillua me dyer të mbyllura sipas të ashtuquajturit rregulli Chatham House, që nënkupton se nuk lejohen të publikohen emrat e diskutuesve, por mund të bëhet publike përmbajtja e diskutimeve.
Ky rregull zakonisht zbatohet për tema të ndjeshme ose kontroverse, megjithëse temat e paralajmëruara në ftesë nuk konsideroheshin të tilla. Diskutimet u përqendruan te e ardhmja e shtetit, sundimi i ligjit dhe veçanërisht te gjendja e veprimit opozitar, çka tregon ambicien e grupit për t’u promovuar si një alternativë ose si opozitë udhëheqëse në skenën politike.
Disa mediave që kishin mbërritur në vendngjarje nuk iu lejua të hynin ose të filmonin, ndërsa ishte paralajmëruar vetëm publikimi i një komunikate pas përfundimit të takimit.
Reagimet e para të analistëve politikë ishin kryesisht indiferente, ndërsa mbështetësit dhe simpatizantët e LSDM-së në rrjetet sociale e akuzuan grupin se po vepron në interes të VMRO-DPMNE.

