Zëvendësministri i Punëve të Brendëshme, Astrit Iseni, në emisionin “ZË”, në gazetën Lajm” dhe “Lajm tv”, paralajmroi zgjerimin dhe modernizimin e sistemit të kamerave të sigurisë, me synim që çdo rrugicë në Shkup të mbulohet me kamera, ndërsa më pas, ky sistem të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas planit të MPB-së, Iseni tha që deri nga mesi i vitit 2026, kamerat e reja pritet të vendosen në të gjithë vendin, duke mos u kufizuar vetëm në qytetet e mëdha.
“Në Shkup do të mundohemi që çdo rrugicë të ketë kamerë. Përveç kësaj, aktualisht po planifikojmë modernizimin e kamerave, pasi me ato që kemi tani nuk mund t`i shohim të gjitha veprat penale apo shkeljet që kryhen. Për momentin, nga kamerat mund të marrim vetëm disa informacione, siç janë tejkalimi i shpejtësisë, parkimi i parregullt apo kalimi në semafor të kuq. Ne, si ministri, mundohemi ta zhvillojmë më tej këtë sistem dhe kapacitetet njerëzore kompetente, dhe normalisht do të përpiqemi që brenda vitit të ardhshëm, 2026, diku nga gjysma e vitit, këto kamera të vendosen në të gjithë shtetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe të mos mbeten vetëm në qytetet e mëdha”, tha për “Lajm” zëvendësministri Astrit Iseni.

