May 9, 2024
Maqedoni

Intervistë me Zeqirija Ibrahimin: Asociacioni i Komunave sjell edhe zhvillim ekonomik

Nga Valon Rashiti

Në vazhdën e presionit evropian dhe amerikan për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tashmë një mekanizim i tillë për shqiptarët po kërkohet të themelohet edhe në Maqedoninë e Veriut.

Sekretari i Përgjithshëm i subjektit politik, Alternativa, Zeqirija Ibrahimi, iu ka bërë thirrje të gjitha partive shqiptare që veprojnë në këtë shtet, të fillojnë nismën për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

“Shqiptarët janë shumë më tepër se serbët në Kosovë, por e vërteta është se ata kanë të drejta atje shumë më tepër se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, thotë Ibrahimi në një intervistë për Albanain Post.

Ibrahimi po ashtu ka listuar edhe disa arsye tjera pse sipas tij duhet të themelohet një Asociacion edhe në vendin e tij.

“Ne në Maqedoninë e Veriut kemi komuna shqiptare që janë gati pa asnjë resurs zhvillimor, siç janë Likova, Haraçina, Studeniçani ose edhe ndonjë komunë tjetër, andaj një asociacion i komunave shqiptare do të mund të ndihmonte në fuqizimin e ndërsjellë të tyre në kuptimin e ngritjes së infrastrukturës komunale, aplikimin në projekte të përbashkëta”, tha Ibrahimi.

Po ashtu, ish-deputeti Ibrahimi thekson se Asociacioni do të ndihmonte që komunat shqiptare të krijojnë një buxhet të përbashkët në kuadër të asociacionit dhe kështu të bashkëpunojnë mes vete në ngritjen e cilësisë dhe standardit të jetesës së qytetarëve.

“Jam i bindur se humbje nga një asociacion i tillë nuk ka si të ketë, ndërsa përfitime mund të kenë të gjithë që jetojnë në ato komuna pavarësisht identitetit të tyre etnik e politik”, shton ai.

Politikani nga Maqedonia Veriore thotë se këtë ide akoma nuk ia ka shpalosur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, teksa shton se “nëse ky propozim i shërben atij për ta argumentuar absurditetin e kërkesës për asociacion etnik në shtetin multietnik të Kosovës, kjo do të ishte një koincidencë që personalisht do të më bënte të lumtur”.

Intervista e plotë e Zeqirija Ibrahimit:

Albanain Post: Partia juaj po kërkon Asociacion të Komunave me Shumicë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të njëjtë çfarë e kërkon Serbia për serbët në Kosovë. Pse saktësisht po e kërkoni këtë Asociacion?

Që të jemi të saktë, kjo nuk është kërkesë e Alternativës, por është një propozim i imi, që vjen nga bindjet e mia intelektuale dhe politike, natyrisht edhe si Sekretar i Përgjithshëm i Alternativës. Ndonëse kur përmendet emri “asociacion”, për shkak të kontekstit kosovar, kjo asocon tashmë në atë që e kërkon Serbia në Kosovë, megjithatë nuk duhet të nënkuptojë detyrimisht diçka të dëmshme për shtetin.

Ne në Maqedoninë e Veriut kemi komuna shqiptare që janë gati pa asnjë resurs zhvillimor, siç janë Likova, Haraçina, Studeniçani ose edhe ndonjë komunë tjetër, andaj një asociacion i komunave shqiptare do të mund të ndihmonte në fuqizimin e ndërsjellë të tyre në kuptimin e ngritjes së infrastrukturës komunale, aplikimin në projekte të përbashkëta etj. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë deklaruar më shumë se një herë se e respektojnë karakterin unitar të këtij shteti, andaj një asociacion i tillë nuk ka pse të kuptohet në terma të ndarjeve.

Gjithsesi, aluzioni që bëhet me Kosovën synon ta zhveshë kërkesën absurde të Serbisë në Kosovë, që ndonjëherë gjen mbështetje edhe te aleatët tanë ndërkombëtarë, që në një shteti edhe formalisht multietnik, siç është Kosova, që – si asnjë shtet tjetër në Europë – i ka përcaktuar të drejta të njëjta si shumicës 90 %-she edhe minoritetit që nuk është as 5%, po i kërkohet të formojë një asociacion komunash mbi baza etnike. E nëse kjo qenka vlerë europiane dhe e lejuar në Kosovë, pse të mos e jetë e pranuar edhe në Serbi me komunat shqiptare e boshnjake atje, por edhe në Maqedoninë e Veriut me kaq komuna shqiptare?

Albanain Post: Meqë po kërkoni Asociacion të ngjashëm si ai që kërkohet në Kosovë, atëherë a e keni biseduar edhe me qeverinë e Kosovës, pra me kryeministrin Albin Kurti që ta adresojë këtë çështje në Bruksel?

Kjo temë nuk ka të bëjë me atë se çfarë do të bisedojë kryeministri i Kosovës në Bruksel. Në takimet tona sigurisht që edhe kjo temë është përmendur, por në asnjë rast as ai nuk ka kërkuar diçka të tillë nga ne dhe as ne nuk i kemi dhënë vetes të drejtë që ta këshillojmë atë se çfarë (nuk) duhet të flasë ai në bisedime.

Por, nëse ky propozim i shërben atij për ta argumentuar absurditetin e kërkesës për asociacion etnik në shtetin multietnik të Kosovës, kjo do të ishte një koincidencë që personalisht do të më bënte të lumtur.

Albanain Post: Nëse veç ia keni prezantuar kryeministrit Kurti, çfarë iu ka thënë, përse nuk e ka ngritur si çështje në Bruksel?

Nuk është se ia kam prezantuar, sepse nuk është diçka specifike dhe as nuk është diçka që ne si parti e kemi pasur të gatshme që ta diskutojmë me të. Nëse do të kem rastin ta takoj së shpejti, do ta bisedoj dhe do ta shoh çfarë mendon edhe ai. Hëpërhë vetëm mund të supozoj.

Albanain Post: Se si do të jetë saktësisht Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë akoma s’e di askush saktësisht, meqë s’ka statut aktualisht. Disa, si për shembull presidentja e Kosovës, thotë se do jetë jo më shumë se një Organizatë joqeveritare, atëherë çfarë iu duhet një Asociacion i tillë, cili do ishte benefiti?

Në Maqedoninë e Veriut akoma nuk funksionon decentralizimi fiskal. Kështu, përkundër asaj se praktika evropiane rekomandon që pushteti të jetë sa më afër qytetarit dhe njësitë e pushtetit lokal të menaxhojnë me financat publike, te ne edhe 20 vjet pas miratimit të ligjit të ri për ndarjen territoriale shumë komuna ballafaqohen me borxhe dhe llogari bankare të bllokuara për shkak se nuk arrijnë të mbijetojnë. Maqedonia e Veriut është vendi më i centralizuar në Evropë me vetëm 4.8% të PBV-së të të ardhurave lokale. Sa për krahasim, në Danimarkë kjo është 36.4%, në Poloni – 13.1%, në Suedi – 25.3% e kështu me radhë. Edhe kur flasim për raportin e të ardhurave lokale dhe të ardhurave të përgjithshme publike, në Maqedoni të Veriut kemi përsëri centralizim të tmerrshëm.

Le që jemi larg Danimarkës me 63%, me Poloninë 31%, me Suedi 47%, por edhe në rajonin tonë Maqedonia është fundit. Kështu, të ardhurat e përgjithshme të komunave në Republikën e Maqedonisë janë 4.8% e BPV-së, që është më pak se në Serbi me 6,3%, në Kosovë me 6,8%, në Mal të Zi me 6,0%, në Rumani me 8,6%, në Bullgari me 6,6%, si dhe shumë nën mesataren e BE-së prej 10,7%. Ndërkaq, në fushën e investimeve kapitale në nivel të rajoneve, shifrat janë alarmante: derisa në rajonin e Juglindor për kokë banori ndahen 1.693 denarë dhe në rajonin e Vardarit ndahen 1,947 denarë (të dyja rajone këto me shumicë maqedonase), në rajonin me shumicë shqiptare të Pollogut ndahen 1.032 den për kokë banori, ndërsa kur këtë e kthejmë në diskriminimin midis komunave shqiptare, një qytetari që jeton në komunën e Qendrës (në Shkup) i bie t’i ndahen 5.309 denarë, ndërsa një qytetari të komunës shqiptare të Haraçinës i bie t’i ndahen 85 den., që është për 60 herë më pak.

E derisa kemi një gjendje të tillë, një asociacion siç e kam propozuar do të ndihmonte që komunat shqiptare të krijojnë një buxhet të përbashkët në kuadër të asociacionit dhe kështu të ndihmohen mes vete në ngritjen e cilësisë dhe standardit të jetesës së qytetarëve. Jam i bindur se humbje nga një asociacion i tillë nuk ka si të ketë, ndërsa përfitime mund të kenë të gjithë që jetojnë në ato komuna pavarësisht identitetit të tyre etnik e politik. Madje, përveç një asociacionit të komunave shqiptare, edhe asociacionet mbi baza gjeografike, regjionale, zhvillimore etj., do të ishin në dobi të qytetarëve. Nuk ka dëm nga bashkëpunimi. Fjala bie, sa projekte të mira janë zhvilluar nga bashkëpunimi i komunave ndërkufitare mes Kosovës, Serbisë e Maqedonisë së Veriut. Bashkëpunimi ndërkomunal në asnjë rast nuk është i dëmshëm.

Albanain Post: Meqë shqiptarët janë me përqindje shumë më shumë në Maqedoni, sesa serbët që janë në Kosovë, pra janë vetëm 4 për qind e popullsisë, dhe shqiptarët në Maqedoni janë 10 fishi më shumë, atëherë kërkesa për një Asociacion si i serbëve në Kosovë a mos do të ishte degradim. A do të duhej të kërkonit më shumë se kaq?

Është e vërtetë se shqiptarët janë shumë më tepër se serbët në Kosovë, por e vërteta është se ata kanë të drejta atje shumë më tepër se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Si e para, Kosova është definuar si “shtet i qytetarëve të saj” (që i bie se janë të barabartë si shtetformues në atë shtet), ndërsa Maqedonia e Veriut si “shtet i kombit maqedonas dhe bashkësive etnike….”; simbolet e Kosovës nuk kanë shenja etnike, ndërsa simbolet e Maqedonisë së Veriut janë maqedonase; himni shtetëror i Kosovës është pa shenja etnike, ndërsa në Maqedoninë e Veriut është etnik maqedonas; gjuha serbe në Kosovë është e barabartë me shqipen, ndërsa në Maqedoninë e Veriut gjuha shqipe, edhe sipas përkufizimeve të konventave ndërkombëtare, është një “gjuhë e minoritetit me të drejta të avancuara” e kështu me radhë.

Prandaj, propozimi për asociacion të komunave shqiptare nuk ka të bëjë me kurrfarë degradimi, segregacioni ose anulimi të të drejtave që i kanë shqiptarët. Me të vetëm fuqizohet bashkëpunimi mes komunave shqiptare. Nëse serbët që janë të barabartë me shqiptarët në Kosovë kërkojnë të kenë edhe asociacion të komunave serbe, pse kjo të mos vlejë edhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Asociacioni i Komunave Shqiptare në RMV nuk është substituim ose zëvendësim i të drejtave të tjera, por plotësim dhe avancim i tyre.

Andaj edhe ky asociacion në Maqedoninë e Veriut nuk nënkupton rrënim të rendit kushtetues, as rimodelim të Maqedonisë së Veriut mbi kufij etnikë, madje as ndryshim të statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, që është më i dobët se ai i serbëve në Kosovë, as anulim të Marrëveshjes së Ohrit. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë të bëhemi të barabartë me maqedonasit, së paku në atë status që e kanë serbët në Kosovë, dhe të besojmë se kjo do të ndodhë pavarësisht se a do të dakordohemi për ndonjë asociacion të komunave shqiptare. Avancimi i bashkëpunimit ndërkomunal nuk ka pse të kuptohet si degradim ose avancim i të drejtave etnike. Këto janë dy fusha të ndara të funksionimit të pushtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit. /Albanianpost.com