May 4, 2024
Kosovë

Intervistë ekskluzive me deputeten shqiptare në Parlamentin kroat, Ermine Lekaj Perlaskaj për zhvillimet në Veriun e Kosovës

Deputetja shqiptare në Kuvendin e Kroacisë, Ermina Lekaj, në një intervistë për portalin Lideri.mk nga Shkupi, thotë shqiptarët në Kroaci por edhe mbarë opinioni kroat me vëmendje të posaçme po përcjellin zhvillimet në Kosovë.

E pyetur nëse shqiptarët nga Kroacia do të ishin të gatshëm të rreshtohen me ushtrinë dhe policinë e Kosovës, në rast nevoje, Lekaj përgjigjet pozitivisht.

“Shqiptarët e Kroacisë janë të lidhur ngushtë me vendlindjen e tyre dhe këtë e kanë dëshmuar edhe gjatë luftës atdhetare në Kroaci, por edhe gjatë luftës së UÇK-së”, thekson Lekaj Perlaskaj në intervistën për Lideri.mk.

Ajo shton se simpatitë e opinionit kroat tradicionalisht janë në anën e popullit të Kosovës dhe këto simpati janë rritur edhe pas rrëmbimit të tre policëve kosovarë nga policia serbe.

Deputetja Lekaj Perlaskaj është vazhdimisht prezente në mediumet kroate, ku prezanton pozicionin e drejtë të shtetit dhe Qeverisë kosovare lidhur me zhvillimet në Veri, shkruan Lideri.mk.

Para disa ditëve, në një intervistë për gazetën kroate Veçernji List ka thënë se trazirat në veri të Kosovës i sheh si përpjekje të Rusisë për të zhvendosur vëmendjen në dy nivele.

“I pari që për mendimin tim është shumë i rëndësishëm pas situatës së fundit në Ukrainë, veçanërisht pas rënies së Bakhmut-it dhe përgatitjen e ushtrisë ukrainase për një kundërsulm. Ndoshta nuk është e pavend të përmendet se gjatë trazirave në Zveçan ushtria ukrainase mori rreth 100 tanke ‘Leopard’ dhe natyrisht, niveli i dytë është procesi i përsëritur serb i ngjarjeve popullore me tubimin e Vuçiç-it dhe me kundër-miting-un dhe synimin e politikës së Vuçiç-it për ta ‘eksportuar’ problemin jashtë Serbisë, në pjesën veriore të Kosovës”, tha ajo.

Lekaj ka theksuar se synimi i Vuçiç-it ishte të provokonte një konflikt në Veri për të justifikuar një inkursion ushtarak në Kosovë me qëllim të ‘ruajtjes’ së minoritetit serb dhe për ta forcuar pozitën e tij në dialog.

“Ai është duke negociuar me Kosovën, por nuk respekton absolutisht asgjë nga ato negociata. Nga 33 marrëveshje, asnjëra prej tyre nuk është respektuar deri më tani. Ai është i vetëdijshëm se Kosova ka humbur, por sillet sipas parimit që ne nuk do ta japim Kosovën”, shtoi Lekaj.

Ajo nuk beson se janë “ftohur” raportet mes Kosovës dhe ShBA-së pas zhvillimeve të fundit në Veri, derisa shton se “Qeveria e Kosovës qëndron për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në të gjithë territorin”.

“Zgjedhjet e organizuara lokale në katër komuna në veri të Kosovës ishin caktuar me ndihmën e ShBA-së dhe bashkësisë ndërkombëtare”.

“Serbët në Kosovë i bojkotuan ato zgjedhje sepse nuk duan të jenë pjesë e sistemit të Kosovës. Zgjedhjet u organizuan dhe pjesëmarrja ishte vërtet e ulët, por komuniteti ndërkombëtar i njohu ato. Partitë shqiptare fituan në të katër komunat. Dëshiroj të përmend se që nga viti 2000 serbët në Kosovë nuk kanë paguar rrymë dhe ujë, këtë e bën Qeveria e Kosovës për ta”, ka shpjeguar Lekaj.

Lekaj e pranon që situata ishte e tensionuar në katër komunat veriore, por potencon se asnjë polic i Kosovës nuk i sulmoi protestuesit serb, siç bën këta të fundit kur sulmuan ushtarët e KFOR-it.

“Përkundrazi, kur KFOR-i hyri në mes protestuesve serbë dhe policisë së Kosovës, serbët të paguar nga qeveria serbe sulmuan ushtarët italianë dhe hungarezë. Pra, bëhej fjalë për grupe të kontrolluara kriminale nga ana e Aleksandër Vuçiç-it. Kryeministri Kurti ka treguar se është në gjendje të zvogëlojë numrin e policëve të Kosovës nëse tërhiqen grupet kriminale serbe që nuk janë shtetas të Kosovës, por qytetarë të Serbisë që jetojnë jashtë Kosovës”.

Pavarësisht gjitha zhvillimeve në Veri, Lekaj është e bindur që në Kosovë “nuk do të ketë luftë”, meqë thekson se “shteti i Kosovës është një projekt amerikan me rëndësi gjeostrategjike”.

Kur pyetet për akuzat e Vuçiç-it se Kroacia dëshiron të rrëzojë qeverinë në Serbi, ajo potencon se “ai sheh frikë gjithandej”.

“Nuk është në gjendje të pranojë sukseset e politikës kroate në skenën ndërkombëtare të udhëhequr nga kryeministri Plenkoviç, prandaj bën akuza se Kroacia dëshiron të rrëzojë Qeverinë në Serbi si shembulli i një hajni që drejton gishtin te tjetri dhe bërtet mbaje hajnin”, përfundoi ajo.