May 13, 2024
Kosovë

Serbia largon nga puna qytetarin serb nga Istogu që u takua me kryeministrin Kurti

Dy ditë pasi u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me ministrin për Komunitete e Kthim, Nenad Rashiq, një qytetar serb nga komuna e Istogut është larguar nga puna në kuadër të sistemit paralel të Serbisë në Kosovë. Arsyetimi i shkollës ku punonte si rojë, ishte situata ekonomike e punëdhënësit, por familjarë të tij thonë se shkaku i vërtetë është takimi me Kurtin

Dy ditë pasi e takoi kryeministrin Albin Kurti, Dalibor Sedlareviqit nga Drugalevci i komunës së Istogut, i erdhi vendimi për largim nga puna.

Ai punonte si rojë nate në shkollën fillore “Radosh Toshiq” në fshatin Osojan, që funksionon në kuadër të sistemit paralel të Serbisë në Kosovë.

Vendimi, që e ka siguruar KOHA, mban datën 9 shkurt, dy ditë pasi Sedlareviq u takua me Kurtin. Largimin nga puna të Sedlareviqit, drejtori i kësaj shkolle Milan Kovaceviq, e arsyetoi me situatën ekonomike.

“Dalibor Sedlareviqit i punësuar si rojë nate, i shkëputet marrëdhënia e punës më datën 9 shkurt, 2023. Për shkak të ndryshimeve organizative dhe ekonomike të punëdhënësit, pushon nevoja për punët të cilat i ka kryer i punësuari”, thuhet në vendim.

Sedlareviq, në shkurt të këtij viti ishte mysafir te familja e Slavisha Komatoviqit, në fshatin Zllaq, kur për vizitë iu shkoi Kurti dhe Ministri për Kthim e Komunitete, Nenad Rashiq.

Largimin nga puna për shkak të takimit me kryeministrit Kurti e kanë konfirmuar familjarët e Dalibor Sedlareviqit, por nuk kanë pranuar të deklarohen para kamere.