Maqedoni

Inspektorati Shëndetësor Sanitar: Fëmijët me tri vaksina do të pranohen në çerdhe. Demiri: E mbështes rekomandimin e KSI-së

Nga dita e hënë fëmijët që kanë marrë tri doza të vaksinës diteper kundër kollës së madhe mund të kthehen në çerdhe, informoi drejtoresha e Inspektoratit Sanitar Shëndetësor, Renata Mlladenovska. Inspektorati Shëndetësor ka kryer kontrolle të jashtëzakonshme në kopshte, ku janë kryer njëqind inspektime dhe shprehen të kënaqur nga bashkëpunimi me çerdhet.

“Vetë personat përgjegjës në kopshte kontrollojnë dhe përditësojnë të dhënat për statusin e vaksinimit të çdo fëmije, respektohet masa. Jemi të kënaqur me mënyrën e bashkëpunimit dhe ajo se si kryhen mbikëqyrjet e jashtëzakonshme. E kemi marrë procesverbalin nga Komisioni për Sëmundjet Infektive. Në koordinim me kryetarin e komisionit dhe ministrin e Shëndetësisë, ramë dakord që vendimi i ri të më dorëzohet, me qëllim që nga e hëna të fillojë pranimi i fëmijëve që kanë përfunduar vaksinimin e tri dozave të vaksinës diteper. Shpresoj se do ta marrin sot dhe të hënën ata fëmijë do të mund të pranohen në çerdhe.”, – deklaroi drejtoresha e Inspektoratit Shëndetësor, Renata Mlladenovska.

Rekomandimi i Komisionit për Sëmundje Infektive, që fëmijët me tri doza të vaksinës diteper të mund të pranohen në çerdhe është i pranueshëm edhe për ministrin e Shëndetësisë, Ilir Demiri.

“Komisioni është i përbërë nga ekspertë, të cilët sjellin vendime të drejta në interes të qytetarëve dhe në interes të shpëtimit të jetëve.”, – theksoi ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri.

Demiri njëherit bëri të ditur se kanë arritur vaksinat për kollën e madhe edhe për të rriturit dhe siç tha ai, menjëherë do të mund të fillojë imunizimi i atyre që kanë nevojë.