June 15, 2024
Maqedoni

Kryqi i Kuq, shënohet dita e themelimit

Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut sot ka shënuar 79 vjet nga themelimi i organizatës dhe 29 vjet nga anëtarësimi i plotë në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, ka ndarë refleksionet e tij për rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe humanizmit që shoqërohet me të. Duke folur si një ministër dhe si një mjek, ai ka shprehur respektin e tij për kontributin e jashtëzakonshëm të dhuruesve të gjakut në shëndetësinë e vendit.

“Ministria e Shëndetësisë vë një fokus të veçantë në këtë temë dhe për këtë qëllim, në drejtim të mbështetjes dhe afirmimit të dhurimit të gjakut, ministria përgatit çdo vit një Program të veçantë, i cili përmban masa dhe aktivitete për mbështetjen e dhurimit të gjakut në vendin tonë. Ajo përmban masa dhe aktivitete për organizimin dhe realizimin e fushatave të dhurimit të gjakut, përgatitjen e materialeve promovuese, fonde motivuese për dhuruesit e gjakut, rimbursimin e shpenzimeve për organizimin e kampanjave të dhurimit të gjakut për organizatat komunale të Kryqit të Kuq, aktivitetet e Institutit për Mjekësi Transfuzive dhe pjesëmarrjen në shfrytëzimin e shërbimeve shëndetësore të dhuruesve me mbi 10 dhurime gjaku.”, – deklaroi ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri.

Kryqi i Kuq paralajmëroi krijimin e aktiviteteve të reja që do t’u mundësojnë atyre të jenë në hap me trendet botërore sa i përket dhurimit të gjakut dhe të arrijnë rezultate më të mira në të ardhmen. Në manifestimin qendror morën pjesë dhurues të gjakut, vullnetarë, përfaqësues nga institucionet shëndetësore dhe institucionet tjera, qytetarë, ndërsa organizatave më të suksesshme komunale u ndanë çmime.