Islanda vazhdon të mbajë vendin e parë si shteti më paqësor në botë për të 19-in vit radhazi, sipas raportit më të ri të Indeksit Global të Paqes, të publikuar nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe.
Raporti vlerëson 163 shtete në bazë të 23 indikatorëve, përfshirë nivelin e sigurisë, konfliktet aktive, shkallën e kriminalitetit, shpenzimet ushtarake dhe stabilitetin shoqëror.
Maqedonia e Veriut renditet në pozitën e 46-të në nivel global, duke u pozicionuar në mesin e vendeve me nivel relativisht të lartë të sigurisë dhe paqes.
Sipas raportit, niveli global i paqes ka shënuar përkeqësim në 99 vende, duke vazhduar trendin negativ për të 12-in vit me radhë. Megjithatë, vendet që kryesojnë renditjen kanë arritur të ruajnë stabilitetin e tyre dhe të mbeten larg konflikteve dhe tensioneve të mëdha.
Pas Islandës, në mesin e dhjetë vendeve më paqësore në botë renditen Zelanda e Re, Zvicra, Sllovenia, Irlanda, Austria, Portugalia, Singapori, Finlanda dhe Japonia.
Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Institutit për Ekonomi dhe Paqe, Steve Killelea, theksoi se vendet me renditje më të lartë karakterizohen nga nivele të ulëta të dhunës, institucione funksionale, besim i lartë shoqëror, marrëdhënie të mira me vendet fqinje dhe cilësi e lartë e jetesës.
Indeksi Global i Paqes konsiderohet një nga raportet më prestigjioze ndërkombëtare për matjen e sigurisë dhe stabilitetit të vendeve në botë.

