Maqedoni

Incidenti në Haraçinë/ Hetimet – përplasje në MPB-së?!

Dje janë ndaluar dy të dyshuar për të cilët supozohet se kanë lidhje me incidentin e armatosur në Haraçinë, ka theksuar Ministri i Brendshëm Teknik, Pançe Toshkovski, me çka ka përgënjeshtruar pohimet e sotme të kolegut të tij, Zv/Ministrit të Brendshëm plotësues, Mitko Bojmacaliev, i cili ka mohuar se janë arrestuar persona që lidhen me incidentin.

“Fatkeqëisht, nga ana e disa funksionarëve politik, përgënjeshtrohen çështje që nuk janë thënë nga unë e as nga ekipi im, e as nga kabineti i Ministrit të Brendshëm. Dje u tha se janë ndaluar persona të caktuar që lidhen me këtë ngjarje”, tha Pançe Toshkovski.

Sipas Toshkovskit, në suaza të veprimeve operative që ndërmerren nga shërbimet e MPB-së, është konstatuar se njëri nga personat e ndaluar kërkohet me fletarrest ndërkombëtar dhe se do të procedohet sipas ligjit, por nuk ka lidhje me incidentin.

Dje nga Prokuroria Publike njoftuan se policia është duke gjurmuar pas sulmuesit, I cili të hënën pasdite në Haraçinë me pushkë automatike kishte shtënë në drejtim të Kryetarit të Komunës, Ridvan Ibraimi dhe disa personave tjerë.

Dy të plagosurit, njëri me plagë zjarri në krahëror kurse tjetri në shpatullën e djathtë, ishin transferuar në Urgjencën e Shkupit dhe në Spitalin “Shën Naumi i Ohrit”.

Gjendja e tyre është stabile, kurse përmes rrjeteve sociale, Zv.Ministri i Brendshëm, Nazim Bushi, ka publikuar një fotografi ku shihet bashkë me njërin nga të plagosurit e këtij incidenti.

“Vizitë bashkëluftëtarit Eshtrefit” – ka shkruar Bushi në Facebook./tvklan.mk