May 2, 2024
Maqedoni

Rritja e pensioneve në Maqedoninë e Veriut: “Mund të blejmë 15 bukë më shumë”

“Me rritjen e pensionit do të blejmë deri 15 bukë më shumë në muaj”, thotë Nikolla, një pensionist nga Shkupi duke shprehur pakënaqësinë me nivelin e rritjes së pensionit që ka marrë në muajin prill, raporton REL. Bazuar në metodologjinë e re për rritjen e pensioneve, dy herë në vit, në mars dhe në shtator, mbi 337 mijë pensionistë të Maqedonisë së Veriut, në prill kanë marrë pensionet me një rritje prej 5.3 për qind të vlerës aktuale, apo 10 deri në 65 euro, varësisht shumës së pensioneve që u takon.

Pjesa më e madhe, apo 40 për qind e pensionistëve që marrin pensione nga 12.500 deri në 16.000 mijë denarë (200 – 250 euro), në llogaritë e tyre kanë hyrë deri në 10 euro më shumë.

“Rritje të pensionimit këtë muaj kemi prej 500 deri 600 denarë [8-10 euro]. Me këtë rritje mund të blejmë 10-15 bukë, varësisht se çfarë lloji konsumojmë. Kjo më shumë është një rritje provokuese sesa një ndihmë për zbutjen e gjendjes së rëndë ekonomike, në veçanti për ne pensionistët. Çmimet aq shumë janë rritur saqë ne nuk po mund ta sigurojmë as bukën”, thotë pensionisti Nikolla.

“Kjo rritje nuk është asgjë, thjesht është sikur një pikë ujë në det. Kjo është tallje me pensionistët, të cilët kanë punuar një jetë të tërë dhe në fund kanë përfunduar si raste sociale, të mos mund të bëjnë një jetë sado normale. Ata janë kategoria më e rrezikuar. Me pensionet që marrim nuk mund të sigurojmë as ilaçet dhe bukën e gojës”, thotë Veselin Ristevski, pensionist.

Pensionistët e grupit më të lartë, të cilët marrin pensione mbi 54 mijë denarë, apo rreth 900 euro, kanë marrë rritje prej gati 3.000 denarësh apo rreth 50 euro.

Për ta tejkaluar hendekun mes pensioneve më të larta dhe atyre më të ulëta, pensionistët kërkojnë që të rikthehet rritja lineare, pra të gjitha pensionet të rriten me të njëjtën masë.