Mosmarrëveshje dhe aksident në trafik mjaftoi që dy persona të përleshen fizikisht. Në lagjen Gazi Babë të Çairit, me lëndime në fytyrë mbeti i riu 21 vjeçar me iniciale B.B.
“Një mosmarrëveshje dhe një aksident në komunikacion bëri që të kemi sulm me thikë dhe me armë zjarri. Pikërisht në këtë vend dje i lënduar mbeti 21 vjeçari me iniciale B.B”, raporton Zekirija Haxhiu, gazetar.
Rastin e konfirmuan edhe nga policia. Siç njoftojnë nga atje, sulmuesi pasi ka lënduar të riun, është larguar nga vendngjarja por menjëherë më pas është kthyer me pistoletë dhe ka shtënë disa plumba.
“Pas një përplasje verbale lidhur me një aksident komunikacioni, është prishur rendi dhe qetësia publike nga një përplasje fizike mes B.B (21) nga Shkupi dhe një person tjetër mashkull, i cili ka përdorur mjet të mprehtë dhe i ka shkaktuar lëndime personit B.B. Personi tjetër është larguar nga vendi i ngjarjes por shpejtë është kthyer dhe ka gjuajtur disa herë me armë zjarri por nuk ka lënduar askënd. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, njoftojnë nga MPB.
Alsat pyeti në MPB nëse identiteti i sulmuesit është i njohur për policinë dhe nëse kanë arritur që ta kapin. Për këto çështje, nuk morëm përgjigje. Sulmi ka ndodhur pasditen e djeshme në ora 17:35 minuta. /Alsat.mk
