May 14, 2024
Maqedoni

Ibrahimi: Shqiponja dykrerëshe të jetë simbol i Maqedonisë së Veriut si shtet binacional

Sekretari i partisë Alternativa, Zeqirija Ibrahimi, në rrjetin social facebook ka shkruar se nëse LSDM dhe VMRO dakordohen për stemën e re, atëherë edhe shqiptarët duhet të propozojnë një stemë shtetërore për Maqedoninë e Veriut.
“Nëse LSDM e VMRO dakordohen për stemën e re të shtetit – për luanin e Gruevskit, të cilin dikur BDI-ja na e shiste si simbol shqiptar, është koha që edhe shqiptarët të propozojnë një stemë shtetërore për Maqedoninë e Veriut me simbolin e shqiponjës dykrerëshe – një kokë për maqedonasit dhe një për shqiptarët. Ma merr mendja se së paku Aleanca për Shqiptarët nuk ka asgjë kundër këtij propozimi.”, ka shkruar Ibrahimi.
Çështja e stemës shtetërore është riaktualizuar nga ish deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Spasenovski, ndërsa është lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë.
Lideri i VMRO-së, Hristijan Mickoski ka deklaruar se këto janë dy tema të ndryshme, ndërsa sa i përket ndryshimit të stemës, ka thënë se procedura duhet filluar menjëherë në Kuvend.