May 2, 2024
Maqedoni

Ibrahimi: Ja tri motivet pas kërkesës për Asociacion

Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, në një shkrim për revistën Shenja, ka shpjeguar më thellësisht idenë e tij për Asociacionin e Komunave Shqiptare, të shprehur disa ditë më parë. Ai thotë se janë 3 motive pas propozimit të tij për Asociacion, dhe të trija janë në dobi të shqiptarëve.

Leximi i parë i kësaj teme, sipas Ibrahimit, është lakuriqësimi i kërkesës serbe për Asociacion të Komunave Serbe në Kosovë. Asociacioni, siç shkruan Ibrahimi, ishte mesazh për Serbinë dhe për ndërkombëtarët se “nëse në një shtet pastër qytetar, siç është Kosova, lejohet njësi monoetnike serbe, kjo do të ketë efekt domino”.

“Ky ishte mesazh për Serbinë, para së gjithash, se nëse ajo po e mban të paralizuar Bosnjën përmes Republika Srpska-s, po e mban Malin e Zi të paralizuar përmes Kishës Ortodokse dhe tash kërkon ta paralizojë edhe Kosovën përmes Asociacionit të Komunave Serbe, shqiptarët në Ballkanin Perëndimor – që janë mbështetur për muri – nuk do të rrinë duarkryq”, thotë Ibrahimi në shkrimin autorial për Revistën Shenja.

Motivi i dytë, siç thotë Ibrahimi, ishte t’i dërgohet mesazh partive maqedonase, VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së, të cilët refuzuan menjëherë kërkesën për Asociacion.

“Nëse VMRO-ja dëshiron qeveri pa shqiptarë, ndërsa LSDM-ja i konsideron partitë shqiptare anije për ta kaluar lumin dhe pastaj t’i hedhë velat, duhet ta dinë se shqiptarët ngadalë do e humbin besimin në partneritetet e mundshme me partitë maqedonase dhe mund ta shohin hesapin e tyre. Nëse humb mirëbesimi, secili më e shikon punën e tij”, thekson Ibrahimi.

Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës sqaron më tutje se motivi i tretë i kërkesës së tij është avancimi i decentralizimit dhe rritjes së bashkëpunimit mes komunave shqiptare, me qëllim mirëqenien e qytetarëve.

“Mungesa e decentralizimit, mungesa e investimeve kapitale në komunat shqiptare, moszbatimi i Ligjit për zhvillim të barabartë rajonal dhe diskriminimi etnik ndaj komunave shqiptare, është arsyeja që kemi komuna shqiptare që nuk kanë as ekip të zjarrfikësve, as ekip të ndihmës së shpejtë, që nuk kanë para as për disa metra asfalt, as për ujësjellës e kanalizim, e as për shkolla me standarde bashkëkohore. E derisa kemi një gjendje të tillë, një asociacion siç e kam propozuar, do të ndihmonte që komunat shqiptare të krijojnë një buxhet të përbashkët në kuadër të asociacionit dhe kështu të ndihmohen mes vete në ngritjen e cilësisë dhe standardit të jetesës së qytetarëve”, shpjegon Zeqirija Ibrahimi.

Ditë më parë, Ibrahimi hapi publikisht debatin për formimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kjo ide u refuzua nga partitë maqedonase, por edhe nga disa funksionarë të BDI-së dhe nga ASh-ja, ndërsa u mbështet nga nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti dhe një pjesë e opinionit publik. Mediat serbe, duke raportuar për këtë kërkesë, thonë se qëllimi i saj është që të ndihmohet pozicioni i Kosovës dhe kryeministrit të saj Albin Kurti në momentet vendimtare të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.