Kolumna

I paskan marë edhe kabllot e rrymës prej te Liqeni Treska, mbase u duhen pushtetarëve për BitCoina

Shkruan: Emad Mehmeti

Sot ishte koha e mirë me diell. Ndaj dhe dola të shëtis në një nga bukuritë përrallore të Shkupit “Liqeni Treska”. Vend ky në të cilin shumë shkupjanë, ndër ta edhe unë e kemi kaluar fëmijërinë tonë me plotë kënaqësi dhe freski në ditën e padurueshme të vapës verore. Kujtimet ende ndodhen në mbamendjen tonë. Meqë rrezet e sotme të diellit më rikthyen në ditët verore të fëmijërisë, ky ishte çasti kur vendosa të shkoja në liqenin Treska për të soditur e shëtitur.

Por çka të shohësh më kaploi “trishtimi” nga katastrofa që hasa aty brenda!

Sapo arrita pashë që dera kryesore për t’u futur në liqenin Treska ishte mbyllur, për këtë zgjodha një rrugë dytësore. Afrohesha por s’mund të besoja seç më shfaqej në horizontin e dikurshëm përrallor, që ofronte gjelbërim të pafund, lule, e hijeshi për sytë tonë, dhe e tërë kjo na bënte që ne të futeshim në “botën përrallore” për t’i ikur sadopak realitetit të përditshëm – plotë zhurmë.

U rrënqetha! Kamp shtëpizat i kishin kthyer mbrapsht, pra i kishin shkatëruarr në tërësi. Në ca qoshe dukeshin disa ulëse tek – tuk, apo edhe pllaka, mendova se sigurisht që në këto ulëse të mbetura aty ka shumë kujtime familjare gëzime e hidhërime, të cilat i kanë tejkaluar pronarët e kamp-shtëpizave. Kujtimet i kanë marrë me vete ata që dikur kalonin verën këtu, por materialet dikush me “bager” ua ktheu përmbys, e me këtë dhimbja që mund ta kenë përjetuar pronarët me siguri ka qenë shumë e madhe dhe diçka e pakthyeshme emocianlisht.

Nejse, e binda veten se këtu ishte fundi i katrahurës brenda liqenit përrallor të dikurshëm, dhe vazhdova të ecë. Gjatë ecjes mu shfaqën gërmadha mbeturinash gjithandej. “O Zot”, thash për një çast, këtë e kanë bërë kafshët apo njerëzit! Befas, aty afër dolën shumë qenë endacak, sikur për të më përkujtuar se mirëseardhje nga njerëzit në këtë vend më nuk kishte, por priteshin nga qentë vizitorët! E po mendova, prandaj thonë shpesh se qeni është më besniku ndaj njeriut.

Sa më shumë shihja shkatërrimin total të liqenit Treska me sytë e mi, aq më tepër mundohesha të gjej ngushëllim te kujtimet e fëmijërisë që kisha kaluar në këtë vend të bekuar nga Zoti, e sot të prishur nga dora njerëzore kriminale, për çfarëdo arsye të botës të gjejnë se e kanë bërë këtë akt të shëmtuar – nuk mund të përbihet.

Lëre se nuk kishte as ujë liqeni, por edhe kabllat e rrymës ishin hequr prej aty. Mbase, ju duhen për BitCoina se është në modë për disa funksionarë qeveritarë. Ndërsa moda e tyre e ndjekur në hap me kohën, do të thotë shkatërrim dhe nënçmim për kualitetin e jetesës njerëzore. Pra, nga liqeni kishte mbetur vetëm plehu! Me çka mund të them pa asnjë hezitim se këtë bukuri të rrallë si Liqeni Treska, ku të gjithë jemi lumturuar në mënyrat tona, tashmë është shkatërruar tërësisht nga “jeshilët politik”, të cilët kanë bërë huxhum drejt kësaj agjende, kur tashmë veç se kanë shkatërruar shumëçka nga natyra jonë, e të gjithë neve. Mos të del se i iki të përmendi emra, “jeshilët politikë” janë këta të BDI-së që vazhdojnë të tregojnë se si do të sjellin begati të blertë në: male, fusha, gropa, lumenjë, e liqene, por pasqyra e vërtetë e punës së bërë deri më tani nga ata ndër vite, është pikërisht realiteti i rrënuar nën gërmadha si në Liqenin Treska! Rrënqethje, trishtim si nuk ditëm të ruajmë dhe shpëtojmë asnjë gjë të vlefshme të paktën për fëmijët tanë nëse jo për neve! Destruktiviteti ju përket atyre sigurisht, kurse neve na përket turpi i mosreagimit.