May 6, 2024
Rajon - Botë

I ofruan 50 euro për ta shitur fëmijën e porsalindur – nëna rrëfehet në gjykatë

E dëmtuara në cilësinë e dëshmitares N.A., ka deklaruar që e akuzuara R.A., i ka ofruar 50 euro dhe i ka thënë nuk ka fëmijë për me shit, në rastin ku i pandehura R.F., po akuzohet nga prokuroria se ka bërë tregti me njerëz për përfitime pasurore, ndërsa e akuzuara R.A., në mënyrë të kundërligjshme ka marrë dhe mbajtur fëmijën.

Këtë deklarim e dëmtuara N.A., e ka bërë të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Seanca gjyqësore ka vazhduar me deklaratën e të dëmtuarës në cilësinë e dëshmitares N.A., e cila ka thënë se ka dhënë deklaratë si në polici ashtu edhe në prokurori dhe mbetem pranë këtyre deklaratave.

“Për fëmijën që është rasti, kjo zoja mbrapa, me bashkëshortin e vet i ndjeri R.A., janë ardhur e kanë marrë në spitalin e Gjilanit në repartin Gjinekologjisë e kanë marrë fëmijën, ashtu që unë e kam pyetur R.F., se ku është fëmija i njëjti më është përgjigjur se fëmija është në Serbi, më vonë më kanë njoftuar që është në Tërnoc”, ka deklaruar e dëmtuara N.A

Deklaratën e ka vazhduar duke thënë se pas 5 ose 6 viteve ka shkuar me R.F., në Bojanoc për të pirë kafe, ku është takuar me R.A., dhe bashkëshortin e saj. “Aty ka qenë edhe A., ku unë e kam parë për herë të parë. Ndërsa, para dy viteve unë kam shkuar në shtëpinë e R.F., në Rogoqis, aty e kam takuar A., dhe më nuk e kam takuar”, ka deklaruar ajo.

“Kur kam dal unë prej spitalit ka qenë R.F., e akuzuara R.A., me bashkëshortin e tij dhe A., R.A., aty e ka marr djalin, para spitalit të cilët kanë qenë me veturën e tyre, dhe së bashku kemi shkuar deri tek Dheu i Bardhë. Unë së bashku më bashkëshortin tim jemi ndalur në një kafe, ndërsa Reqibja ka marrë fëmijën dhe është larguar”, ka deklaruar N.A.

Po ashtu, e njëjta ka shtuar se ajo e ka pyetur R.F., pse me ja dhënë beben atyre, e i njëjti sipas saj, ka thënë se nuk kemi mundësi me rrit.

“Unë nuk e di se a ka përfituar dikush diçka, por R.A., në veturë mi ka ofruar 50 euro, dhe unë i kam thënë nuk kam fëmijë për me shit, e njëjta më tha se këto po t’i jap për respekti, dhe dëshira ime nuk ka qenë për me dhënë beben”, ka deklaruar e dëmtuara N.A.

Tutje, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me administrimin provave materiale.

Po ashtu, në këtë fazë të procedurës mbrojtësi i të akuzuarës R.A., avokat Kadri Syla i ka propozuar gjykatës, që si provë të administrohet certifikata e lindjes së fëmijës e lëshuar nga autoritetet serbe, duke shtuar se fëmija ka mbushur moshën madhore në këtë vit.

Ndërsa, prokurori Agron Uka e ka kundërshtuar propozimin e tillë, me arsyetim se nuk janë shfrytëzuar rrugët ligjore, ndërsa në anën tjetër nuk është kontestuese se certifikata mjekësore e fëmijës është lëshuar nga Spitali Regjional i Gjilanit.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sabedin Mushica, ka refuzuar propozimin e mbrojtësit e të akuzuarës R.A., avokat Kadri Syla që si provë të administrohet certifikata e lindjes e lëshuar nga autoritetet serbe, me arsyetimin se ky fakt është vërtetuar nga raporti mjekësor i lëshuar nga Spitali Regjional i Gjilanit.