Maqedoni

Hysni Ismaili: Edhe Kim Jongu do të ishte turpëruar nga sjellja e Dimitar Kovaçevskit

Deputeti i Alternativës, Hysni Ismaili, nga foltorja e Kuvendit, ku po flitej për shkarkimin e zv/ministrave, tha se me votimin e ministrave të rinj u mohua pretendimi i kryeministrit se zgjerimi i Qeverisë, bëhet për rritjen e shumicës.
“Me votimin e ministrave të rinj u dëshmua se krejt kjo çfarë ndodhi, edhe sjellja e turpshme ndaj Alternativës, edhe gjithë ky debat, gjithë kjo zhurmë, qenka bërë që shumica të shtohet vetëm edhe me një deputet plus. Kaq dhe asgjë më shumë. Pas kësaj bien krejt maskat e shpjegimet me terma hiperbolizues se kjo qeveri ka plane astronomike e historike për ta shpëtuar shtetin dhe për ta integruar në Bashkimin Europian”, ka deklaruar Ismaili.
Ai ka shtuar se edhe Kim Jongu do të turpërohet nga sjellja e kryeministrit Dimitar Kovaçevski ndaj partnerëve të tij.
“Kjo duhet të jetë mësim edhe për kolegët e ASH-së, sepse njeriu e ka vështirë ta gëlltisë turpin për herë e parë. Pastaj nuk i bëhet më vonë. Në fakt, ASH-ja e ka këtë përvojë më 2017-të dhe mbase as atyre nuk u bëhet vonë. Sidoqoftë, kjo është e kaluar dhe ne vetëm mund të marrim mësim dhe t’i njohim më mirë njerëzit që ta dimë se kë ta konsiderojmë mik e bashkëpunëtor”, ka deklaruar Hysni Ismaili, deputet i Alternativës.