Mbi 70 përqind e qytetarëve janë ‘pro’ anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, tregon hulumtimi më i fundit i Institutit për Demokraci “Societas Civilis”, i cili sot u prezantua në Kuvend.
Hulumtimi tregon se BE-ja vazhdon të shihet si partneri më i besueshëm i Maqedonisë.
Ndërkaq, është rritur edhe numri i qytetarëve që e shohin Maqedoninë si vend që i përket Perëndimit, sidomos pas dilemave të viteve të fundit për orientim drejt Lindjes.
Drejtori i Institutit, Marko Troshanovski, tha se bëhet fjalë për rritje të madhe të mbështetjes për BE-në, veçanërisht për shkak të ndryshimit të qëndrimeve brenda komunitetit në vend .
Troshanovski vlerëson se pritjet për ndryshimin e kushtit për ndryshime kushtetuese janë joreale dhe u bëri thirrje partive politike që të nisin menjëherë reformat.
“Nuk kemi më justifikime për zgjidhje të caktuara ligjore. Kjo është detyra jonë e vetme e brendshme. Çdo gjë tjetër është humbje kohe dhe politikë e harxhuar”, tha Troshanovski.
Por, kundërshtimi ndaj ndryshimeve kushtetuese mbetet i lartë.
“Është koha t’i shtrijmë dorën fqinjit bullgar, t’i respektojmë interesat e tyre dhe të kërkojmë zgjidhje sipas standardeve evropiane”, tha ai.
Mbështetja për BE-në është rritur për gati 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Hulumtimi i opinionit publik është realizuar në periudhën 22 tetor – 5 nëntor 2025, me një mostër prej 1.003 të anketuarish.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

