May 4, 2024
Kolumna

HUAMARRJE PER SHLYERJEN E BORXHIT TË VJETËR DHE INVESTIME TË REJA ME NORMË INTERESI REAL MË TË ULET SE RRITJA EKONOMIKE

11 Mars 2023, Shkup — Java e kaluar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit. Po nisim një cikël të madh investimesh, me një projekt historik, me ç’rast nuk do të gabonim po ta potenconim atë si një nga projektet më të rëndësishme dhe më të mëdha infrastrukturore në vendin tonë – ndërtimin e 4 akseve (pjesëve), autostradë e re moderne me gjashtë korsi, në korridoret 8 dhe 10-d, respektivisht drejtimet rrugore Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bukojçan, Trebenishtë–Strugë–Qafë Thanë dhe Prilep–Manastir. Ky investim ka rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike dhe gjeopolitike, si për ne ashtu edhe për rajonin, pasi është kryqëzimi i dy korridoreve evropiane. Bëhet fjalë për 110 kilometra rrjet rrugor të ri, modern, cilësor dhe të sigurt, ose autostradë të re prej 22 deri në 25 kilometra në nivel vjetor për pesë vitet e ardhshme. Kjo e bën vendin tonë që të ketë avantazh krahasues ekonomik, i cili paraqet bazë të shkëlqyer për përmirësimin e konkurrencës së ekonomisë sonë dhe rritjen e PBB-së.

Ky është investim i madh, me vlerë të përgjithshme prej 1.3 miliardë eurove, i cili së bashku me investimet përkatëse, arrin në nivel prej 10% të PBB-së sonë dhe lidhur me të në buxhetin e vitit 2023 tashmë janë siguruar një pjesë e mjeteve, ndërsa janë projektuar mjete edhe për vitet e ardhshme. Buxheti për vitin 2023 bazohet në bazë të rregullit të artë në financat publike – që shpenzimet kapitale të jenë më të larta se deficiti buxhetor, respektivisht të merret hua vetëm për financimin e projekteve investuese. Investimet kapitale këtë vit projektohen në nivel prej 800 milionë eurove, ose për 100 milionë euro më shumë se deficiti buxhetor. Ato arrijnë në 5.3% të PBB-së së projektuar dhe në pesë vitet e ardhshme parashihen në nivel prej 5.1% të PBB-së, për dallim nga dy dekadat e fundit ku mesatarisht variojnë rreth 3% e PBB-së. Duke projektuar më shumë mjete stimulohet edhe realizimi më i lartë i investimeve publike dhe kështu nxitet rritja ekonomike. Rritja më e lartë e PBB-së, nga ana tjetër, siguron qëndrueshmëri më të madhe fiskale.

Përcaktimi ynë si Qeveri është sigurimi i qëndrueshmërisë fiskale afatgjate, sepse vetëm financat publike stabile mund të sigurojnë rritje dhe zhvillim afatgjatë në drejtim të përmirësimit të standardit të qytetarëve. Si rrjedhojë, gradualisht zvogëlojmë hendekun mes të hyrave dhe shpenzimeve në buxhet, respektivisht deficitin buxhetor për reduktimin e nevojave të reja për financim, gjegjësisht huamarrje. Gjithashtu, jemi vigjilent që të mos e dëmtojmë komponentin zhvillimor, sepse ngadalësimi i rritjes ndikon po aq negativisht në qëndrueshmërinë fiskale. Pralelisht, veprojmë për reduktimin e gjendjes së borxhit (vlera e përgjithshme e borxhit të akumuluar përgjatë viteve), nëpërmjet rifinancimit me kosto më të lirë, duke përfshirë edhe lloje të reja të instrumenteve dhe duke krijuar portofol optimal sipas kostove dhe afatizimit.

Euroobligacioni i vitit 2023 do të shfrytëzohet për rifinancimin e euroobligacionit të emetuar në vitin 2016

Në këtë drejtim është edhe rifinancimi i euroobligacionit të vitit 2016, i cili përmes kombinimit optimal të dy instrumenteve – euroobligacioni i sapoemetuar dhe instrumenti për përkrahje makrofinanciare që na akordoi Komisioni Evropian, i cili shlyen borxhin e vjetër me kosto më të ulëta. Respektivisht, edhe pse vlera e huazuar e euroobligacionit të vitit 2016 është më e ulët, duke përfshirë edhe normën e interesit për rreth një pikë përqindje, për shkak të afatizimit më të gjatë, kostoja e saj është më e lartë.

Shkurtimisht, do t’i referohem ankandit të euroobligacionit të nëntë. Interesi i mbi 100 investitorëve ishte pothuajse katër herë më i lartë se shuma e ofruar. Ky është tregues i shkëlqyer i besimit të investitorëve në ekonominë tonë dhe në politikat e zhvilluara në vend. Për shumën prej 600 milionë eurove, që ishte planifikuar të tërhiqej, në rastin konkret përmes kombinimit të euroobligacionit prej 500 milionë eurove me instrumentin e përkrahjes makrofinanciare prej 100 milionë eurove, janë siguruar kushte të njëjta si në ankandin paraprak të euroobligacionit të nëntë, i cili ishte në shumë më të madhe – 600 milionë euro, respektivisht kostoja vjetore e interesit mbetet në nível të njëjtë prej rreth 37.5 milionë euro.

Dy euroobligacionet e fundit janë me normë reale të interesit negative

Këtu vjen në pah sërish rregulli i artë në financa, ku interesi, respektivisht kostoja që paguajmë për kapitalin e huazuar, duhet të jetë më e ulët se beneficioni që do ta krijojë. Beneficioni ekonomik është rritja e produktit të brendshëm bruto, i korrigjuar për inflacionin vjetor (pasi inflacioni ul vlerën e kapitalit).

Ekonomistët mund ta llogarisin lehtësisht normën reale të interesit të euroobligacioneve, respektivisht nëse inflacioni zbritet nga interesi i kuponit. Gjegjësisht, nëse i analizojmë të nëntë euroobligacionet gjatë viteve të emetimit, interesi real i euroobligacionit të emetuar në vitin 2005 është 4.1%, në vitin 2009 është 10.76%, në vitin 2014 është 4.29%, në vitin 2015 është 5.19%, në vitin 2016 është 5.84%, në vitin 2018 është 1.23%, në vitin 2020 është 2.45%, në vitin 2021 norma e interest është negative, respektivisht -1.53% dhe sipas projeksioneve për vitin 2023 edhe euroobligacioni i fundit, i nëntë, i emetuar në muajin mars 2023 ka normë reale negative të interesit prej -0.14%. Kjo do të thotë se për dy euroobligacionet e fundit kostoja është më e ulët se rezultati, se rritja reale ekonomike, respektivisht ato kanë justifikim ekonomik. Nëse krahasohet me normën reale të rritjes së PBB-së, euroobligacionet e emetuara në vitet 2021 dhe 2023 kanë normë reale më të ulët interesi për 5.4 dhe 3.1 pikë përqindjeje. Gjithashtu, analizuar në mënyrë kumulative për të gjithë periudhën e maturimit të këtyre euroobligacioneve, raporti është në favor të rritjes ekonomike sipas projeksioneve makroekonomike. Kjo do të thotë se rritja reale ekonomike më e lartë në raport me normën reale të interesit të huamarrjes mundëson zhvillim të qëndrueshëm dhe ulje të borxhit publik.

Konstruksioni financiar për mbulimin e deficitit dhe borxhit që maturon në vitin 2023

Nevojat për financim për këtë vit i referohen mbulimit të deficitit buxhetor prej 42.7 miliardë denarë (694 milionë euro, i cili vlerësohet të zvogëlohet për shkak të flukseve hyrëse më të larta nga tatimi i solidaritetit), si dhe shlyerjes së borxhit prej 52.1 miliard denarë. (847 milionë euro), prej të cilave borxhi i jashtëm është 36.5 miliardë denarë (593 milionë euro) dhe borxhi i brendshëm është 15.6 miliardë denarë (254 milionë euro).

Krahas euroobligacionit të emetuar në kombinim me instrumentin e përkrahjes makrofinanciare në vlerë të përgjithshme prej 600 milionë eurove, do të sigurohen mjete edhe nga jashtë nëpërmjet tërheqjes së transhesë së re nga linja kreditore për përkujdesje dhe likuiditet nga FMN-ja dhe nëpërmjet tërheqjes së mjeteve nga kreditë e favorshme nga institucionet e huaja financiare dhe linjat kreditore për financimin e projekteve të caktuara dhe deficitit buxhetor. Gjithashtu, kemi edhe grantin e BE-së prej 80 milionë eurove, i cili do të shfrytëzohet për financimin e masave antikrizë për qytetarët dhe kompanitë, si dhe investimet në burimet e ribërtëritshme të energjisë.

Huamarrja e brendshme do të realizohet nëpërmjet emetimit të letrave shtetërore me vlerë dhe huasë së brendshme. Huamarrja në tregun e brendshëm do të mundësojë optimizimin e portofolit të borxhit publik nga aspekti i normave të interesit dhe rritjes së afatizimit dhe raporti i planifikuar me huamarrjen e jashtme nuk do të ndikojë (crowding out effect) në qasjen e sektorit privat në kapitalin e tregut të brendshëm. Gjatë këtij viti është bartur depozië prej 160 milionë eurove nga viti i kaluar, në përputhje me politikat prudente për menaxhimin e borxhit publik dhe buferëve që mundësojnë fleksibilitet më të madh në raport me ecurinë e tregjeve të kapitalit.

Mbi një miliard euro për shpenzime kapitale dhe masa antikrizë këtë vit

Lidhur me shpenzimet në buxhetin e vitit 2023, do të nënvizoj se përveç 800 milionë eurove për shpenzime kapitale, 225 milionë euro janë projektuar edhe për masa antikrizë, respektivisht vetëm këto dy qëllime e tejkalojnë deficitin buxhetor për 330 milionë euro. Për ta përshpejtuar rritjen ekonomike dhe për rikuperimin e tërësishëm nga të gjitha krizat e njëpasnjëshme që na kanë ndodhur në periudhën e kaluar, duhet të vazhdojmë me axhendë ambicioze investuese.

Në vitet e fundit realizimi i shpenzimeve kapitale është përmirësuar. Vitin e kaluar kemi pasur afër 90% realizim të projeksionit, falë mekanizmave të vendosura për stimulimin e investimeve si CAPEF. Megjithatë, me ndarjen e shumave më të larta në buxhet për investime kapitale, ka edhe presion drejt realizimit të shumave nominale më të larta në fund të vitit. Kjo nënkupton injektimin e mjeteve në ekonomi, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike.

Këtë vit, shpenzimet kapitale janë projektuar deri në 70% më të larta se realizimi në vitin 2022. Siç përmenda më lart, planifikohet një ekspanzion i investimeve, veçanërisht në infrastrukturën rrugore, por edhe në infrastrukturën hekurudhore, infrastrukturën energjetike dhe komunale, si dhe investime kapitale për përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor, arsimor dhe social, bujqësi, kulturë, sport, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe gjyqësor.

Përveç katër autostradave të reja në Korridorin 8 dhe Korridorin 10d, janë ndarë mjete edhe për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren. Gjithashtu, do të vazhdojë edhe ndërtimi i pjesës lindore të Korridorit rrugor 8 nëpërmjet pjesës Rankovcë-Kriva Pallankë, pjesës Kriva Pallankë deri në kufirin me Bullgarinë, si dhe ndërtimi i pjesës perëndimore të Korridorit rrugor 8. Me hua nga BERZH-i do të financohet ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë.

Në vitin 2023 planifikohet që të përfundojë rikonstruimi i linjës hekurudhore të Korridorit 10, si dhe parashihen mjete për vazhdimin e realizimit të fazës së parë dhe të dytë të projektit për ndërtimin dhe rehabilitimin e pjesës lindore të linjës hekurudhore – Korridori 8 – pjesa Kumanovë–Beljakovcë-Kriva Pallankë. Në periudhë afatmesme është konfirmuar financimi i linjës hekurudhore Kërçovë-Lin (Shqipëri) nga BERZH-i dhe BEI.

Edhe nga aspekti i mjedisit jetësor ka një numër të madh të projekteve kapitale. Gjithashtu, vazhdon edhe Projekti për përkrahjen e përmirësimit të shërbimeve komunale, me të cilin financohen projekte kapitale në komuna. Do të vazhdojë edhe projekti për efikasitet energjetik në sektorin publik, me të cilin do të financohen projekte energjetike në komuna.

Projektet për menaxhimin e mbetjeve të ngurta në mbarë vendin sigurohen me hua më të favorshme të financimit. Gjithashtu, do të vazhdojë ndërtimi i rrjetit të gazsjellësit dhe i interkonektorit me Greqinë.

Për sektorin shëndetësor janë planifikuar investime për ndërtimin dhe rikonstruimin e institucioneve shëndetësore publike, prokurimin me pajisje mjekësore.

Për arsimin, mbrojtjen e fëmijëve dhe sportin janë planifikuar investime kapitale, të cilat janë destinuar për ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave fillore dhe të mesme, kopshteve të fëmijëve, ndërtimin e shkollave dhe sallave sportive, rikonstruimin e konvikteve të nxënësve, prokurimin me pajisje dhe rikonstruimin e universiteteve dhe investime në infrastrukturën e sportit. Do të vazhdojë realizimi i Projektit për rikonstruimin e konvikteve të nxënësve dhe do të vazhdojë edhe realizimi i Projektit për ndërtimin e sallave të fizkulturës në shkollat fillore dhe rehabilitimin e shkollave fillore dhe të mesme.

Me qëllim të përmirësimit të qasjes në të drejtat dhe shërbimet sociale, si dhe zgjerimit të kapaciteteve për përkujdes dhe edukim parashkollor nëpërmjet ndërtimit të objekteve të reja dhe ridistinimit të atyreve ekzistuese në institucione parashkollore, në vitin 2023 vazhdon realizimi i Projektit për avancimin e shërbimeve sociale.

Parashihen investime të konsiderueshme kapitale, të cilat destinohen për zhvillimin rural, ndërtimin e hidrosistemeve dhe investimet për përmirësimin e konkurrencës dhe modernizimin e ekonomive bujqësore.

Mobilizimi i kapitalit privat në funksion të rritjes

E gjithë kjo, do të kontribuojë në krijimin e vlerave të reja, stimulimin e rritjes ekonomike, rritjen më të lartë të PBB-së dhe rrjedhimisht qëndrueshmërinë fiskale, sepse rritet kapaciteti i ekonomisë për servisimin e detyrimeve të saj. Njëkohësisht, punojmë për konsolidimin fiskal, nëpërmjet uljes së vazhdueshme të deficitit buxhetor, për arritjen e targeteve të përcaktuara me rregullat e Mastrihtit në periudhë afatmesme.

Me këtë rast, do të nënvizoja Planin e rimëkëmbjes dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike, i cili përmes mobilizimit të kapitalit privat, përmes partneriteteve publike dhe private dhe instrumenteve të reja financiare, do t’i përshpejtojë disa herë investimet publike dhe private. Nga Banka Evropiane e Investimeve janë siguruar 100 milionë euro me kushte të favorshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për tranzicion të gjelbër dhe likuiditet, të cilat do të tërheqin 100 deri në 200 milionë euro mjete shtesë nga bankat komerciale në vend. Pikësynimi ynë afatgjatë është të ofrojmë kushte më të mira jetese, standard më të mirë për qytetarët tanë dhe konkurrencë më të madhe të ekonomisë sonë dhe kjo është e mundur vetëm përmes realizimit të strategjisë së fuqishme për rritje të përshpejtuar. Për këtë qëllim, nga Banka e Zhvillimit të Këshillit të Evropës do të sigurohen mjete shtesë prej 50 milionë eurove.

Instrumente të reja për financimin e zhvillimit: fletobligacione të gjelbra, fletobligacione zhvillimore të qytetarëve dhe fletobligacione zhvillimore të diasporës

Në kuadër të buxhetit për vitin 2023, njofuam edhe për mundësinë e vendosjes së instrumenteve të reja për financimin e buxhetit në funksion të zhvillimit, siç janë fletobligacionet e gjelbra, fletobligacionet zhvillimore dhe projektuese, fletobligacionet zhvillimore të qytetarëve dhe fletobligacionet zhvillimore të destinuara për diasporën. Me këto fletobligacione do sigurohen mjete për projekte zhvillimore, veçanërisht për projekte për zhvillim të gjelbër që sjellin kushte më të favorshme të financimit, si dhe mundësi për grante shtesë nga Komisioni Evropian dhe institucione të tjera zhvillimore ndërkombëtare. Me qëllim të zhvillimit të tregut të kapitalit në vendin tonë dhe emancipimit financiar të publikut të gjerë në vend, të ashtuquajturat fletobligacione zhvillimore të destinuara për qytetarët dhe fletobligacione zhvillimore për diasporën, do të mobilizojnë mjete financiare për projekte zhvillimore dhe përkrahje buxhetore.