May 2, 2024
Maqedoni

Hoxha: Shumica në pushtet është stabile, unanimisht jemi kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

Në këtë takim edhe njëherë treguam se shumica është stabile, se shumica në pushtet duhet të vazhdojë. Të gjithë u dakorduam se çfarëdo lloj procesesh që do të çonin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të jenë shumë problematike, të vështira edhe për situatën ekonomike, atë sociale dhe sigurinë në shtet. Prandaj të gjithë unanimisht jemi kundër organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, theksoi sekretari i përgjithshëm i Besës, Arianit Hoxha, pas takimit koordinues të kryeministrit Zoran Zaev me liderët e partnerëve të koalicionit.

Ai theksoi se Qeveria e tanishme e ka marrë mandatin në vitin 2020 dhe, siç tha, atë që e kanë marrë si përgjegjësi në fillim të formimit të Qeverisë janë proceset eurointegruese, të cilat janë mjaft të rëndësishme.

“Ndodhemi në një proces mjaft delikat dhe për këtë arsye duhet të gjithë bashkarisht ta tregojmë qëndrimin se me të vërtetë nevojitet të vazhdojë shumica në pushtet sepse qëllimi edhe i kësaj Qeverie kur u formua ishte të përshpejtohet procesi i eurointegrimeve”, tha Hoxha.

Ai, rreth dorëheqjes së kryeministrit Zaev, theksoi se Besa nuk dakordohet me atë, por se ai është akt personal për të cilin kryeministri vetëm vendosë.

“U informuam se mbetet në dorëheqjen, normalisht kërkesë e jona për atë është të ketë hapësirë për sa kohë ajo do të kryhej, sepse jemi në situatë mjaft delikate politike, ku me të vërtetë çfarëdo hapi i gabuar mund të bëjë kaos total, e ajo realisht do të na çonte drejt zgjedhjeve të parakohshme për çka të gjithë u dakorduam se nuk është momenti, as nuk ka hapësirë që të organizohen”, konkludoi Hoxha.