Me rastin e jubileut pesëvjeçar nga shpallja e Malit Sharr si Park Nacional, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, vizitoi parkun, prej nga paralajmëroi investime të reja dhe masa sistematike për mbrojtje.

Ministri Hoxha theksoi se gjatë pesë viteve të fundit është vendosur një sistem modern dhe funksional për menaxhimin e njërit prej burimeve natyrore më të vlefshme në vend, si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të institucioneve, popullatës lokale dhe donatorëve.

“Qëllimi ynë është i qartë: zhvillim, por në harmoni me natyrën. Nuk do të lejojmë që fitimi ta shkatërrojë natyrën”, theksoi Hoxha dhe shtoi se është në përgatitje e sipër një Strategji e Turizmit për zonën e parkut.

Hoxha shprehu mbështetje për zbatimin e plotë të kompensimeve ekosistemike, me ç’rast mjetet e grumbulluara nga të hyrat do të kthehen drejtpërdrejt në park. Këto mjete janë të dedikuara për një mjedis më të pastër, përmirësimin e infrastrukturës malore dhe forcimin e kapaciteteve të rojtarëve të parkut.

Këtë vit, Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr do të marrë mbështetje shtesë nga ministria për avancimin e kapaciteteve për zbulimin e hershëm dhe monitorimin e zjarreve pyjore, përmes investimeve në një objekt modern.

sqShqip