Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, së bashku me përfaqësuesit e Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Mirko Ukoski dhe Arbnor Arifi, vizituan Entin Hidrobiologjik në Ohër, ku u njohën nga afër me procesin e shumimit artificial të troftës së Ohrit dhe përgatitjet për lëshimin e peshkut të ri në liqen.
Me mjetin lundrues të Ministrisë, ata udhëtuan nga Struga drejt Ohrit, ndërsa gjatë vizitës Dushica Ilić Boeva nga Enti Hidrobiologjik prezantoi të gjitha fazat e procesit, nga ikra dhe inkubimi, deri te rritja dhe përgatitja e peshkut të ri për lëshim në Liqenin e Ohrit.
Sipas të dhënave të prezantuara gjatë vizitës, këtë vit planifikohet lëshimi i rreth 1.6 milionë troftave të reja në Liqenin e Ohrit, rreth 500 mijë më shumë se vitin e kaluar.
“Pas gjashtë viteve ndërprerje gjatë qeverisjes së kaluar, që rrezikuan seriozisht vazhdimësinë e këtij procesi të rëndësishëm, vitin e kaluar Qeveria e riktheu shumimin dhe ripopullimin e Liqenit të Ohrit me troftë. Këtë vit vazhdojmë me kapacitete edhe më të mëdha. Trofta e Ohrit është një nga pasuritë më të çmuara të liqenit tonë dhe ruajtja e saj është përgjegjësi e përbashkët”, theksoi Hoxha.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do të vazhdojë me aktivitetet dhe mbështetjen institucionale për mbrojtjen, shumimin dhe ruajtjen e troftës së Ohrit, si një nga llojet autoktone dhe pasuritë më të rëndësishme të Liqenit të Ohrit.

