Hoteli i ish kreut të DSK-së Sasho Mijallkov në Ohër siç duket këtë verë do t’i presë mysafirët e parë. Edhe pse aktivistët për mbrojtjen e mjedisit kundërshtojnë ashpër ndërtimin e tij, hoteli i cili ndërtohet në lokacion atraktiv në lagjen Goricë në afërsi të bregut të liqenit, ka hyrë thuajse në fazën përfundimtare. Nga “Ohri SOS” theksojnë se shqetësim përbën mosrespektimi i rekomandimit të Komitetit për Trashëgimi Botërore për ndalim të përkohshëm të aktiviteteve ndërtimore, deri në përgatitjen e një vlerësimi strategjik mbi ndikimet ndaj mjedisit jetësor.

„A po mbrohet me qëllim përmes një përgjigjeje të tillë interesi privat i ish-anëtarit partiak? Për këtë arsye, kërkojmë ndalimin urgjent të aktiviteteve ndërtimore në Goricë dhe zbatimin e obligimeve”, thonë nga Ohri SOS.
Aktivistët shprehen të shqetësuar për zhvillimin e pakontrolluar urban të Ohrit.

„Në raportin e revizionit të Entit Shtetëror për Revizion pamë se Komuna e Ohrit ka refuzuar 4.848 kërkesa për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Komuna e Ohrit i ka refuzuar këto kërkesa si të paligjshme. Gjithashtu mund të shihej se Komuna e Ohrit ka lëshuar 456 vendime për prishjen e ndërtimeve pa leje. Këto vendime janë të formës së prerë, por deri më sot asnjë ndërtim pa leje nuk është prishur”, u shpreh Andrijana Bashoska – Zë për shpëtimin e Ohrit.

Nga “Ohri SOS” theksojnë se projekti daton nga viti 2011 kur Ministria e Transportit shpalli ankand publik për tjetërsimin e tokës shtetërore për ndërtimin e një hoteli në Liqenin e Ohrit. Fituese doli kompania “Divelop Grup”. Kreu i Ohrit, Kiril Pecakov thotë se sipas planit për menaxhimin e Ohrit objekti i plotësonte kushtet, pasi nuk ndodhet brenda vijës prej 50 metrash nga Liqeni i Ohrit dhe se objekti do të ketë vetëm me tre kate dhe me 22% shfrytëzim të parcelës. Që leja e ndërtimit të mbetej në fuqi, ligji është ndryshuar dy herë, në vitet 2017 dhe 2019, pasi kishte afat për realizimin e ndërtimit.

sqShqip