May 21, 2024
Sport

Historiku i KF Arsimi nga fshati Çegran

Si rezultat i shkollimit, përgaditjes graduale dhe ngritjes së vetëdijes tek brezat e ri të shkolluar, fillim vitet e 70-ta ishin periudha e rilindjes së Çegranit në aspektin kulturoro shoqërorë, sepse reaksioni zinxhiror i krijuar arsimim, dije, vetëdije krijoi edhe organizmat e para të cilat i dhanë ngjyrë jetës së organizuar shoqërore në Çegran.

Kështu më vitin 1973 me iniciativë të Arsimtarëve të Shkollës Fillore “Përparimi”, u krijua edhe Klubi Futbollistik të cilit do ti vendoset emri nga ku edhe lindi ideja e këtij klubi “KF ARSIMI”. Në kryesi të klubit u instaluan njerëz të arsimuar të kohës dhe pjesa dërmuese e lojtarëve ishin arsimtarë. Ç’veshtorja e parë dhe vendi ku u hartuan planet dhe strategjitë e këtij klubi ishin hapsirat e ish-shkollës së vjetër.

I udhëhequr dhe menaxhuar nga koka të ngritura të Çegranit, ky klub shumë shpejtë u bë sinonim dhe emër që u njohë në të katër anët e Maqedonisë Shqiptare, ndeshjet e të cilit klub i ndiqnin njerëz nga Pollogu e më gjërë. Klubi kulmin e tij e ariti në vitet e 90-ta ndërsa si atë kohë edhe sot e kësaj dite udhëhiqet si në aspektin menaxherial ashtu edhe në atë sportivë nga arsimtarë, sportistë dhe mërgimtar të kësaj kohe.

Në pamundësi për ta lyer ngjyrën kuq e zi në amblemën e tij nga rethanat politike të kohës, u ndërua vetëm e kuqja me të verdhën dhe nga kuq e zi, ngeli verdhë e zi.

Me themelimin e klubit gjithçka filloi të frymojë ndryshe, klubi u bë element kryesor i një revolucioni kulturorë popullorë çegranas. Arsimi hyri në zemrat e çegranasve, në kafene Arsimi, në rrugë Arsimi, në shtëpi Arsimi, Arsimi unifikoi si një grusht i vetëm Çegranin. Të rinjë, pleqë, i madhë e i vogël, kudo Arsimi dhe ngjyrat verdhë e zi.

Gjeneratat e para ishin arsimtarët e vendit, të cilët që në ndeshjet e para treguan karakterin e fortë Çegranas, zemrën e madhe dhe qëndresën e çeliktë, traditë të cilën e bartën edhe tek gjeneratat e ardhëshme, dhe që ruhet me fanatizëm edhe nga gjeneratat më të reja.

Ashtu siç përvoja rritej, sporti zhvillohej, përkrahja nuk mungonte. I mbajtur fortë në duartë e rinisë më të fuqishme të kohës, rinisë Çegranase, “Kf Arsimi” filloi të korrë suksese të një pas njëshme duke fituar simpatinë e fshatrave për rrethë, Pollogut dhe vendit në përgjithësi. Me një mbështetje të tillë të zjarrtë, shkallët u ngjitën lehtë dhe Arsimi nga një ekip fshati, u shëndrua në një reprezentacion të vogël të Pollogut.

Me lojtarë nga të gjitha viset, u shëndrua në tmerrë dhe frikë për kundërshtarët, i pathyeshëm në ligat ku garonte, problem në kupat Republikane, dhe me një tifozeri prej mijëra përkrahësve për ndeshje, thuhet se klubit Çegranas ja kishin lakmi jo vetëm ekipet e ligave ku garonte, por edhe ekipet e ligës elitare të kohës.

Jemi në dekadën e pestë nga koha kur filluam garat Sportive, dhe në këtë gjysëm shekulli jetë, Çegrani vazhdon të prodhoj futboll cilësor, futboll të cilin me vite të tëra e ndoqi dhe e ndjek me vëmendje, respekt, zili e miqësi e gjithë bota futbolldashëse në vend. Vendosëshmëria, besimi, forca, vullneti, bujaria, euforia, ngjyrat verdhe e zi, ishin disa nga komponentat që i karakterizuan sportistët dhe sportëdashësit tonë si dhe vazhdojnë akoma.

Shëkulli i ri dhe sfidat brenda tij e gjetën
ekipin tonë, si dhe të gjithë ekipet tjera në vështirësi. Problemet sociale dhe ekonomike e kishin rënduar shumë rendin sportivë në vend, por ata nuk arrinë ta shuajnë kurrë dashurinë për klubin, sepse ishte rinia çegranase nga vendi dhe mërgimi, arsimtar, arsimdashës, sportistë e sportdashës bashkë si një feniks, në Çegranin e pas’luftës, u ngritën për ti lëvizur proceset përpara, me një vullnet të pathyeshëm, nuk u ndalën, nuk u lodhën, dhe nuk pushuan kurrë.

Kjo frymë sportive vazhdon akoma në Çegran me një bagazh të fuqishëm pas shpine, me qëllime të qarta për lartë e më lartë, vazhdon të hapëroj vrullshëm drejtë përplasjes sportive me kundërshtarët pa pikën e frikës dhe së këndejmi Kf Arsimi do vazhdoj të shkëlqejë drejtë të së nesërmes së ndritur për brezat e ri, pamvarsisht rezultateve, sepse klubi është Çegrani dhe Çegrani është Arsimi.

(Ky tekst është shkruar në vigjilje të ndeshjes së radhës vendimtare në mes të Kf Arsimi vs Kf Besa, që luhet direkt për kreun e tabelës ditën e Diel).