Hismet Ademi, bariu i veçantë nga Mështeknaja (Brezovica)
Shkruan për përshtypjet e tij nga Mështeknaja (Brezovica): Ramazan Bekteshi, mergimtar kërçovar në SHBA
Bagëtia e bekuar te qendra e skitarisë në Brezovicë
Stinët në Sharr janë secila më magjepse se tjetra.
Edhe sivjet në Brezovicë/Mështeknaja sërish takova Hismet Ademin, bariun më të veçantë në Kosovë, si nga dukja dhe përvoja gjysëm shekullore.
Unë çdoherë mrekullohem me kopenë e deleve, qingjave, ogiçëve, qenëve të bariut dhe vetë bariun. Më duket si një organizatë e madhe mijëra krerë delesh por me një mini-menaxhment kompakt, vetëm 2 barinjë dhe dhjetë qene barinjsh, në rastin konkret një kryqëzim i qenit të Sharrit dhe Kangallit, që as arusha nuk ka shansë të dëmtojë kopenë e lere më ujqit.
S’e dij prej nga vjen kjo dashuri bukolike për bagëtinë dhe ‘koncertin e saj’; nga “Bagëtia” e Naimit, femijëria e herëshme e imja nëpër male e fushat, apo menagjmenti dhe bashkëjetesa më e pafajshme dhe natyrale e kopesë me qentë dhe çobanin.
Dhe derisa qëndroj me bagëtinë përjetimet janë të jashtëzakonshme, qëlllimi i përbashkët i qenëve është të mbrojnë kopenë të gjithë tok nga armiku i perbashkët, për ndryshim nga politikanët që jo vetëm që s’e luftojnë hasmin sëbashku por disa e sjellin ujkun në vathë.
Vjet më ftuan dy barinjtë, Shabani dhe Hismeti që ta përcjellë kopenë gjatë një dite në shpatet e skitarisë, aty ku me skia i kam përshkuar me qindra në mos me mija herë këto faqe mali. Tentimi dhe shoqërimi im nëpër shpatet e rrëpinjta deshtoi pas shtatë orësh ecje e ngadaltë por pa ndal nëpër shpatet pjerrta të qendrës së skitarisë. Çuditërisht, delet që kullotënin pa ia ndal tërë ditën e lume do te duhej që madhësia e barkut të arrinte vëllimin e dyfishtë, por fal digjestionit të shpejtë dhe rrjedhja e kakërdhiave/jashtëqitja rafal ia mundëson deles te kullos pa pushu, pos kur është vapë e madhe.
Detyrat e bariut: Mjela, qethja, mjekimi, therja, asistojnë në lindjen e qingjave, dhe berja e djathit.
Vështirësitë:mjegulla, breshëri, shiu.
Rreziqet: ariu, ujku.
Sipas bariut Hismet Ademit numri më i madh i deleve në shpatet e qendrës së skitarisë ka qenë në vitin 1983/84, gjithësejtë rreth 20.000 krerë. Vitin kaluar Përparim Hasani kishte 1978 krerë në Brezovicë derisa sivjet bylyku ka rënë në 1400 krerë.
Në ditët e sotme të rinjtë as që provojnë të bëhen barinjë, andaj pronarët ballafaqohen me mungesë barinjësh. Kryebariut Hismet, i lindur në fshatin Brod i dëshirojmë shëndet dhe lumturi në zanatin që sipas tij s’e ndërron me asgjë në botë.