October 8, 2024
Kosovë

Osmani për radion britanike: Rusia po e përdor Serbinë për të destabilizuar edhe Kosovën

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në një intervistë për radion britanike “Times Radio”, ka thënë se Kosova është thellësisht e shqetësuar për ngjarjet që po zhvillohen në Ukrainë dhe se Rusia po angazhohet edhe për destabilizmin e Kosovës.

E pyetur se çfarë po bën Rusia për të destabilizuar Kosovën, Osmani tha se në përgjithësi ajo e përdor Serbinë si satelit.

“Në përgjithësi po përdorë Serbinë si satelit të saj, përmes bashkëpunimit ushtarak, stërvitjeve ushtarake, donacioneve ushtarake, bashkëpunimit ekonomik dhe thjesht duke shtyrë përpara mënyrën e të menduarit dhe veprimit rus, që ka destabilizuar vendet e tjera në rajon, të cilat janë duke u përpjekur të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe NATO. Rusia dhe Serbia janë duke u munduar të shkatërrojnë çdo vlerë të Perëndimit, të ndërtuara në këtë rajon me shumë investime, sakrifica dhe punë”, shprehet Osmani.

Presidentja e Kosovës ka thënë se ambasadori rus bashkë me atasheun e tij ushtarak kishin ardhur edhe në kufi me Kosovën, gjatë shtatorit dhe tetorit të vitit të kaluar.

“Po mbështetë përpjekjet e Serbisë, si për shembull me rastin e tensioneve në kufirin mes Kosovës e Serbisë gjatë shtatorit e tetorit të vitit të kaluar, teksa Serbia kishte vendosur ushtrinë e saj rreth kufirit, dhe u sollën MIG-të rus dhe armë të tjera ruse e kineze dhe ku ambasadori rus bashkë me atasheun e tij ushatarak erdhën në kufi për t’i dhënë bekimin ushtrisë serbe, që prisnin në kufi, në një farë mënyre duke i trimëruar ata me idetë, që tani Rusia po përpiqet t’i shtyjë në Ukrainë”, është shprehu Osmani, përcjell Telegrafi.

“Synimi ynë është t’i bashkohemi NATO-s, dhe po bëjmë përpjekje për këtë, si vendi me popullin më pro NATO në botë”, tha Osmani.

Osmani po ashtu shprehu mbështetjen për popullin ukrainas si dhe mbështetjen e plotë për integritetin territorial dhe sovranitetin e këtij vendi.

“Natyrisht sikur edhe pjesa tjetër e botës demokratike, ne jemi të shqetësuar për atë që po ndodhë në Ukrainë. Ne besojmë fuqishëm se ajo që po ndodhë në Ukrainë është abuzim flagrant i pushtetit dhe një shkelje e praktikave ndërkombëtare nga Rusia”, shprehet Osmani.