Asnjë fjalë nga komuna e Likovës e as nga kompania One Connect, e cila dyshohet se ka kryer gërryerje të rrugëve dhe shtrirjen e kabllove optikë në rrugën që lidh fshatrat e komunës së Likovës, Llojan-Vaksincë-Sllupçan.

Heshtje totale për atë nëse komuna e Likovës ka arritur të konstatojë gjendjen faktike në terren.

Alsat dërgoi pyetje në komunën e Likovës nëse kanë filluar me inspektim në vendet e denoncuara dhe cilat janë informacionet e fundit, por nga atje deri në këto momente asnjë përgjigje.

Asnjë fjalë as nga kompania One Connect e cila dyshohet të ketë kryer gërryerjen e tokës dhe shtrirjen e kabllove optikë dhe atë pa asnjë leje të institucioneve.

Banorët e kësaj zone kanë frikë për sigurinë e tyre derisa lëvizin me automjete, duke shtuar se në disa raste u janë dëmtuar edhe pronat, për çka presin që përgjegjësia të shkojë në llogari të operatorit.

Pyesin se kush po lejon hapjen e kanaleve pa asnjë kontroll në orë të vona dhe më pas lihen në gjendje që të paraqesin rrezik për lëvizjen e banorëve.

Kompania në fjalë është me zyra në Kumanovë ndërsa është themeluar vetëm dy muaj më parë. Banorët që denoncuan gërmimet nëpër rrugët që frekuentojnë çdo ditë thonë se nuk përjashtohet që në fundjavë të protestojnë, derisa nga Komuna e Likovës dhe kompania përkatëse nuk marrin garanci se gjithçka është në kuadër të ligjit dhe se rruga do të kthehet në gjendjen e mëparshme.

Dje nga komuna e Likovës na thanë se kanë marrë denoncim për punime të tilla dhe inspektimet janë në procedurë e sipër./ Alsat.mk

sqShqip