Maqedoni

Heroi Lulzim Sulejmani! Rrëfim për tragjedinë e rëndë në Bullgari

“Kështu e ka dashtë Zoti. Unë të jem ai i cili do të shpëtoj njerëz. E falënderoj Zotin që më dha edhe një jetë”, tha Lulzim Sulejmani.

Kështu Lulzim Sulejmani e nisi bisedën me ekipin e TV21 gjatë vizitës sonë në Preshevë. Ai është heroi i cili nga zjarri ka arritur t’i nxjerrë udhëtarët e mbijetuar. Oferta e agjencisë “Besa Trans” ka qenë tërheqëse, prandaj ka vendosur të rezervojë një vend për veten dhe të fejuarën e tij.

“Ekskursioni ishte shumë i mirë. Kishim edhe ciceron i cili na shëtiste kudo. Ishte shumë bukur. Edhe shoferët ishin të mirë. Ishin dy dhe rruga ishte shumë e mirë. Në të dy drejtimet kishim disa pauza. Në autobus silleshin mirë, na jepnin kafe, pije dhe ndalnim për pauzë”, theksoi Lulzim Sulejmani.

Autobusi ishte i mirë, por nuk e dinin se nuk ka licencë.

“Rruga nuk ishte e lodhshme. Nuk voziste shpejt. Normalist, sa duhet të lëvizet një autobus, 100. Edhe autobusi ishte i mirë, por për licencën nuk e di”, rrëfen Lulzim Sulejmani.

Lulzim ende është në gjendje shoku. Siç rrëfen, nuk mund të flejë, kurse pamjet nga tragjedia vazhdimisht po rrotullojnë në kokën e tij. Një herë në javë viziton psikiatër në Spitalin e Vranjës.

“Gjithçka po përsëritet në kokën time, 24 orë pasi… Sepse unë isha i zgjuar dhe pashë gjithçka nga tragjedia dhe tani gjithçka po kthehet në kokën time. Tani nuk mund të fle si më parë… Zgjohem, nuk mund të fle, vetëm 1-2 orë.. Kur zgjohem, pastaj nuk dua të fle më… Nuk është siç ka qenë“, pohoi Lulzim Sulejmani.

Por, detaji i vogël të cilin e ka vërejtur Lulzimi gjatë hyrjes në autobus, ka shpëtuar disa persona.

“Unë isha i zgjuar, por para kësaj, kur shëtisnim në Turqi, vërejta ku ishte çekiçi. Pastaj, kur ndodhi katastrofa, falë Zotit që mu kujtua, e mora çekiçin e theva xhamin dhe dola unë, e pas meje edhe 6 persona të tjerë“, shpjegon Lulzim Sulejmani.

Kjo është jeta e dytë edhe për babain e tij.

“Unë si baba e përjetova gjënë më të vështirë. Herën e parë dëgjova se ka vdekur. Kjo ishte raportuar pas tragjedisë, por pastaj mora vesh se është i gjallë dhe i shëndoshë dhe se gjendet në spital. Menjëherë udhëtova në Sofje”, tha Ali Sulejmani, babi i të mbijetuarit.

Thotë se tani jeta e tyre është më e lehtë, por ankthin që e kanë përjetuar nuk ia urojnë askujt.

“E di si ndihen ata tani, mos dashtë Zoti t’i ndodhë askujt, sidomos neve, prindërve. Është vështirë për ta përballuar” pohoi Ali Sulejmani, babi i të mbijetuarit.

Nuk fajësojnë askënd, por familja Sulejmani beson se hetimi që po zhvillohet do të japë përgjigje për pyetjen – si ndodhi tragjedia në të cilën humbën jetë 45 pasagjerë?!